skip to Main Content

Si të bëhesh shkrimtar i mirë. Këshillat e Ted Hughes për të bijën 18-vjeçare

 

“Thuaj të vërtetën! Mos u bëj dembel! Mos ki frikë! Lëri emocionet të lira! Shmang zhurmën! Rri vetëm sa më shumë të mundesh! Ec! MByll telefonin dhe lexo! Lexo fjali të bukura!”- këto ishin këshillat e e poetes Jane Kenyon për krijuesit e rinj.

Por fjalitë e bukura nuk vlejnë vetëm për formimin artistik, por edhe për të formuar karakterin njerëzor. Të paktën këtë mendonte Ted Hughes, në një letër dërguar së bijës.

Frieda mbeti jetime në moshën 3-vjeçare, kur e ëma, shkrimtarja e njohur Sylvia Plath, vrau veten. Pak pas ditëlindjes së saj të 18-të, ndërsa po gjente veten në letërsi, i ati ndau me të mësimet më të çmuara që kishte marrë nga as më shumë as më pak por T.S. Eliot.

 

“T.S. Eliot më tha dikur: Ka vetëm një mënyrë për të përmirësuar artin e të shkruarit, përveç vetëkritikës dhe praktikës: leximi i poezive të të tjerëve me zë të lartë. Nuk ka rëndësi nëse e kupton apo nëse është në gjuhën tënde a në një gjuhë të huaj. Më i rëndësishëm është edukimi i veshit”.

Frieda Hughes u bë shkrimtare e vlerësuar, poete dhe piktore. Vite më vonë ajo punoi për publikimin e krijimeve më pak të njohura të së ëmës, ndërsa e kaloi pjesën më të madhe të jetës duke mbrojtur të atin nga sulmet e medias, që e bënin atë fajtor për vetëvrasjen e të shoqes.

Elona Qose