skip to Main Content

Vladimir Nabokov mbi Lolitën, ëndrrat dhe makthet…

Vladimir Nabokov e shkroi romanin e tij më të njohur “Lolita”, gjatë  një udhëtimi nëpër SHBA, ndërsa koleksiononte flutura. Në vitin 1964, shkrimtari i njohur dha një intervistë për pazakontë për “Playboy”, ku diskutoi mbi ndjenjat e tij për librin që e bëri të famshëm, rutinën e tij, muzat dhe rolin e kritikës në art.

 

Mbi Lolitën

“Nuk pendohem kurrë për “Lolitën”. Ajo ishte si një kompozim i një gjëegjëze të mrekullueshme. Pa dyshim, ai libër la në hije krijimet e mia të tjera, të paktën ato që kam shkruar në anglisht, por nuk është faji I tij”, – shkruante Nabokov gati një dekadë pas botimit të “Lolitës” së tij.

 

Rutina ditore

“Zgjohem rreth orës 7:00 në mëngjes. Rri ca në shtrat, duke planifikuar gjërat që më duhet të bëj. Rreth orës 8:00 ngrihem, rruhem,  lahem, ha mëngjesin dhe meditoj për pak. Pastaj mbyllem në studio deri në orarin e drekës. Lëviz për pak për një shëtitje të shkurtër me time shoqe buzë liqenit. Në orën 13:00 kemi drekën. Më pas mbyllem sërish në studio për të punuar deri në 18:30. Darka është gjithmonë në 19:00 dhe pas darkës nuk ka më punë. Bie në shtrat në orën 21:00, lexoj për nja 2 orë dhe për të paktën 2 orë të tjera luftoj me pagjumësinë. Dy herë në javë shikoj makthe, me personazhe të importuara nga ëndrra të mëparshme”.

 

Imagjinatë dhe dije   

“Një shkrimtar duhet patjetër të studiojë me kujdes punën e rivalëve të tij. Në mënyrë që të krijojë botën e tij, shkrimtari duhet të njohë botën që ka. Imagjinata pa dijen nuk të çon më tutje se një art primitiv. Arti nuk është kurrë I thjeshtë”.

 

Mbi Dostojevskin

“Lexuesit jo rusë nuk kuptojnë dy  gjëra. E para, jo të gjithë rusët e duan Dostojevskin aq sa e duan amerikanët dhe e dyta, shumica e atyre që e duan e nderojnë më shumë si mistik sesa si artist”.

 

Mbi lexuesin

“Një vepër arti nuk është e rëndësishme për shoqërinë si e tërë, por për individin. Dhe është pikërisht individi që më intereson. As nuk dua t’ia di për masën, grupet, komunitetin…”

Përgatiti: Elona Qose