skip to Main Content

10 historitë më të bukura të dashurisë në veprat e Shekspirit

Uilliam Shekspiri, i konsideruar si shkrimtari përfaqësues i popullit anglez, shkëlqeu si në tragjedi ashtu dhe në komedi. Ishte në gjendje të ndërthurte shijet e popullit të asaj kohe me një psikologji të detajuar të personazheve, një poetikë sublime dhe një filozofi e thellë e dukshme. Ai shkroi disa prej tragjedive më të rëndësishme në gjuhën angleze që janë njohur ndonjëherë, përveçse edhe komedive e soneteve, të njohura si memorialet më të mira për bukurinë dhe pasionin.

Sot do të flasim për veprat e paharruara teatrale të tij, dhe në veçanti, për historitë e dashurisë të prezantuara në to; brilante, nganjëherë tragjike, por me dhembje të bukur dhe sugjestive.

Më poshtë është renditur një klasifikim me 10 ndër çiftet më të mira në veprat e Shekspirit.

1) Romeo e Xhuljeta

Nuk është vetëm një tragjedi, por hyn dhe në një ndër historitë më të bukura të dashurisë në botën e letërsisë, duke prezantuar arketipin e dashurisë perfekte të kundërshtuar nga shoqëria. Mbetet ende një dramë mesjetare, ku dashuritë e trishta ose ngritja e mbretërve vinin vetëm dhe ekskluzivisht prej bekimit. Tragjedia e dy të dashuruarve është një paralajmërim për veprimet e kota të njeriut që merret me gjëra të kota duke u larguar nga Perëndia, shpëtimi i vetëm i mundshëm.

 

2) Katerina e Petruçio “Zbutja e kryeneçes”

Komedia me 5 akte, e shkruar si në poezi dhe në prozë, ku autori tregon ndjeshmërinë e tij të kritikuar kundrejt kushteve ku jetonin gratë në kohën e tij, duke analizuar me tepër aftësi psikologjinë femërore. Është kundër martesave me mblesëri për interes, dhe me Katerinën përfaqëson ironikisht konfliktet e një gruaje të zbutur nga martesa, e cila, në marrëdhënien e vështirë me Petruçion tregon gjithë inteligjencën femërore dhe kryeneçësinë që e mbështesin. Pikëpamja e vendosur në skenë është padyshim ai mashkullor i teatrit elisabetian.

 

3) Titania e Oberoni, “Ëndrra e një nate vere”

Të dy janë mishërimi i marrëzisë, absurditeti i dashurisë. Nuk është një satirë. Shekspiri paraqet me tallje çdo gjë që secili prej nesh mund të ketë eksperimentuar për dashurinë. Vardisja dhe zhgënjimi janë shprehi të një dashurie të përjetshme, sepse sot arsyeja dhe dashuria mbajnë të bashkuar shoqërinë. Në dukje të jep përshtypjen e një komedie të lumtur, por në fakt pas talljeve bie melankolia, e përcaktuar nga koncepti poetik i autorit. Është një neoplatonizëm që largon dashurinë ideale, duke i lënë të vdekurit një dashuri të vërtetë të papërshtatshmërisë, e njohur para së gjithash në asimetrinë midis dashurisë ideale të Titanisë dhe Oberonit dhe asaj reale të mishëruar nga tre çifte Tezeu-Hipolita, Ermia-Lizandri dhe Elena-Demetrio.

 

4) Beatriçe e Benedikti, “Shumë zhurmë për asgjë”

Janë protagonistët që të kujtojnë më shumë historitë e dashurisë shekspiriane. Përfaqësojnë bazën mbi të cilën ndërtohen komplotet moderne mes vullnetit dhe romancës. Mishërojnë si Katerinën dhe Petruçion po ashtu edhe Rozalindën dhe Orlandon, të ndarë prej krenarisë dhe betejave si Romeo e Xhuljeta. Janë të bashkuar por të largët, por gjithsesi arrijnë të nxjerrin anën e tyre më të mirë e më të keqe. Beatriçe e Benedikti, me luftën e tyre alegro, përfaqësojnë një ndër historitë e dashurisë më romantike të të gjitha kohërave.

 

5) Antoni e Kleopatra

Janë persona të tmerrshëm, por ka një arsye përse edhe shekuj më vonë tregohet ende historia e tyre. Është historia më e bukur e dashurisë e treguar nga Shekspiri me sfond politik, një lidhje që sfidoi mbijetesën e çdo marrëdhënieje. Ndonjëherë, njerëzit duken të tmerrshëm, sepse reagojnë kundër dashurisë. Por, në fund, gjithkush bën zgjedhjen e vet; të jetosh pa tjetrin do të ishte më keq se asgjë. Sikur këta dy të dashuruar të çmenduar ta kishin menduar më parë.

 

6) Makbethi dhe zonja Makbeth

Janë dy personazhe të paharrueshëm, por ku është romantika? A nuk flitet për vrasje dhe komplote? Zonja Makbeth a nuk është një manipuluese lakmitare? Ndoshta. Por, pa diskutim që Shekspiri portretizon thelbin e një çifti të vërtetë, në të cilën asnjë partner nuk mund të bëjë pa të tjetrin. Dhe nuk është rastësi që edhe sot shihen si një model çifti.

 

7) Jo histori dashurie, por mbështetje vëllazërore! (Princi Hal/Falstaf, “Henriku IV”; Rozalinda/Celia, “As You Like It”; Romeo/Merkucio, “Romeo e Xhulieta”; Hamleti/Horaci “Hamleti”)

Një listë me histori të paharrueshme, pasqyrë e dashurisë platonike mes miqtë të ngushtë. Disa prej tyre rezultojnë në një fije të paqartë, diçka më shumë se miqësi (Hamleti-Horaci/Rozalinda-Celia). Ndonjëherë janë marrëdhënie në të cilat njëri prej dy miqve ka dëshpërimisht nevojë për ndihmë (Falstafi si baba i gjetur i princit Hal). Përfundojnë shpesh në tragjedi dhe nuk u atribuohet respekti që meritojnë. Por dashuria e këtyre personazheve dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë për njëri-tjetrin nuk mund të vihet në dyshim.

 

8) Hamleti dhe Ofelia, “Hamleti”

Janë të shumtë ata që mendojnë se Hamleti dhe Ofelia duhet të renditen në krye të klasifikimit. Kalimi i avashtë i Ofelisë drejt çmendurisë, për mos të përmendur për grindjen mbi varr, kur Hamleti deklaron dashurinë për Ofelinë, është e paharrueshme. Por, kur besohej se mes tyre kishte diçka më shumë, një ndjenjë e përkohshme e destinuar të bëhej më e madhe, ndërhyn jeta. Historia e tyre është një tragjedi, dashuria e tyre është e pamundur dhe ishte qëkur nisi. Dhe nëse kjo është romantike, atëherë është tragjikisht romantike.

 

9) Rozalinda e Orlando, “Si ta doni”

Rozalinda është ndoshta heroina më tërheqëse e personazheve shekspirianë, ndoshta sepse arrin të tallet me dashurinë. Koha i mundëson ta analizojë mirë të dashurin e saj. Përmes dredhive të komedisë, ndjenja jo gjithnjë tregohet në kohë për mos të humbur të dashurin, por pavarësisht marrëzive dhe mbivlerësimeve, dashuria gjen gjithnjë shtigje për t’u shfaqur.

 

10) Viola/Orsino/Olivia/Sebastian/Antonio, “Nata e dymbëdhjetë”

Në këtë spektakël koral, dashuritë dhe mesazhierët ndërthuren, mahniten dhe kapen në befasi. Është një histori dashurie që zhvillohet në ambiente të pamenduara, ashtu si dhe personazhet dhe kushtet e tyre sociale. Ajo që mbetet e paharrueshme janë mënyrat se si personazhet përballen me ndjenjat, duke përndjekur dhe eksploruar kufijtë e pranueshmërisë sociale dhe konceptit të tyre për seksualitetin. Natyrisht, farsa zgjidhet në fund, por pesha e të gjitha këtyre mundësive rëndon.

 

Përgatiti: Elona Qose