skip to Main Content

Aromë gjaku

Asnjë copëz hëne nuk duket gjëkundi sonte.

Është mesi i natës dhe qëndroj në mes të rrugës, i mbështjellur me petkun e egër të natës e cila veçmas netëve të tjera sonte është akoma më e zezë.

Shtëpitë e renditura afër njëra-tjetrës me të gjithë banorët brenda kanë fikur llambën e vajgurit dhe kanë zënë veshin për të shijuar vdekjen e përkohshme, pra gjumin.

Stina e lehjeve ka ardhur tashmë në qytetin tim. Nuk ka skutë apo rrugë qorre që nuk gjenden grumbuj qensh të racave dhe ngjyrave të ndryshme të cilët shfrytëzojnë terrin e nates për të kapur mysafirin e paftuar në rrugët e pashtruara përreth kësaj pjese. Ata qëndrojnë ngjitur njëri me tjetrin dhe nuk ndahen deri në çastin e sulmit për t’u ribashkuar pastaj sërish.

Lehin të gjithë njëzëri dhe pushojnë po ashtu përnjëherësh. Zëri i tyre shkakton frikë dhe tmerr. Është me të vërtet e frikshme, që në një natë si kjo, e mbushur me zymtësinë që shkaktojnë shtëpitë e fjetura përreth , t’i dëgjosh qentë e uritur teksa çirren në tëposhtëze me vrap për t’u lëshuar mbi atë që i kanë vënë syrin.Dhëmbët e tyre të bardhë e të mprehtë shkëlqejnë nga larg dhe shfaqin egërsinë që kanë për secilin që iu shfaqet përpara.

Është mot i ftohtë që shoqërohet me pikla të imëta shiu të cilat pikë-pikë rrëshqasin në flokët e mia, të zeza, porsi kjo natë. Zura vend në mesin e ngushtë të të dy shtëpive dhe, me frikën nga shtazët që janë këtu afër meje dhe po kutërbojnë aromë gjaku, pres të zbardhet dita.

Nga Ermir Bujupaj