skip to Main Content

Emma Watson, me nismë për librat

Emma Watson është mbështetëse e madhe e librave dhe kulturës. Prej muajsh është angazhuar me një nismë, ku lë librat e saj të preferuar në vendet publike, si në stolat në parqe, stacionet e autobusëve e metrove, me synimin që njerëzit që do t’i gjejnë t’i lexojnë.

Nisma është lançuar nga vetë aktorja në bashkëpunim me projektin online “Books Underground”. Por, tani, aktorja po bashkëpunon me një tjetër organizatë. “The Book Fairies”, një grup të pasionuarish të librave, që synon të përfshijë sa më shumë njerëz të mundet.

Libra në metro

Projekti “The Book Fairies” është frymëzuar pikërisht nga “Books Underground”, që lë libra në metro, për të ftuar ata që i gjejnë e lexojnë që t’i çojnë sërish aty ku i gjetën, që të tjerë t’i marrin e nisma të ecë zinxhir. Me këtë projekt, mbështetja ndaj librave po zgjerohet në të gjithë botën dhe ka arritur deri në veshët e Emma Watson, që vendosi të përfshijë dhe klubin e saj të librit, “Our shared shelf”, kur ndihmoi në shpërndarjen e mbi 1000 librave feminist në vende publike, nga Londra në Nju Jork, në Ditën ndërkombëtare të Gruas.

Dita dedikuar librave

Por nga mund të dihet se libri që gjendet në metro është pikërisht njëri prej atyre të shpërndarë nga “zanat e librit”? Është e thjeshtë. Çdo libër i “Book Fairies” shoqërohet nga një fletë me ngjyra jeshile e të bardhë, disa si shënjues faqesh, disa të tjera me shënime personale.

Siç shihet edhe nga fotoja, Emma Watson e ka nisur punën, në kuadër të “Hide a Book Day”, nisma që ka nisur sot, më 18 shtator, në të gjithë botën.

E.Qose