Shkrimtarë të alkoolizuar dhe pijet e tyre të preferuara
Që ta bëjmë të qartë që në fillim, alkooli nuk të bën shkrimtar më të mirë… por herë-herë të bën më interesant.
Ian Fleming – martini
“Më mirë të vdes nga pija sesa nga etja”.
Fleming, krijuesi i agjentit më të njohur në botë, Xhejms Bond, ishte gazetar para se të përfshihej në Agjencinë Britanike të Inteligjencës. Sipas thashethemeve, Flemig pinte kaq shumë xhin, sa e vetmja këshillë që mund ti jepte mjeku ishte që të paktën të ndryshonte llojin e alkoolit.
Oscar Wilde – shampanjë e ftohtë
“Vetëm njerëzit pa imagjinatë nuk pinë shampanjë”.
Autori irlandez e donte kaq shumë shampanjën sa e kërkonte edhe në burg.
Stephen King – birrë
“Kam pirë gjithmonë, që kur arrita moshën e ligjshme për të pirë alkool. Nuk e kam kuptuar kurrë të pirin alkool në mënyrë të përgjegjshme, gjithmonë më është dukur si të puthësh motrën tënde”.
Shkrimtari i njohur amerikan pinte kaq shumë në vitet ’80, sa mezi shkruante. U desh ndërhyrja e familjes së tij që King të ftillohej.
Dorothy Parker – uiski
“Sikur të arrija të pija si zonjë!”
Parker ishte e alkoolizuar. Njihej për zakonet e saj të pirjes së alkoolit dhe për tendencën për vetëvrasje. Pavarësisht problemeve dhe varësive të saj, ajo mbetet një nga shkrimtaret më të njohura të prozës së shkurtër.
F. Scott Fitzgerald – xhin
Në kohën kur ndiqte kolegjin, Fitzgerald ishte i alkoolizuar. Ndërsa shëndeti i dobësohej, ai pinte xhin sepse është nga të vetmet pije që nuk kuptohet nga fryma.
Edgar Allan Poe – konjak
“Nuk kam absolutisht asnjë lloj kënaqësie nga stimuluesit që marr. Nuk është kërkimi i lumturisë që më shtyn drejt alkoolit dhe qetësuesve, por përpjekja dëshpëruese për t’u shpëtuar kujtimeve torturuese”.
Shkrimtari legjendar thuhet se i përziente pijet edhe me qetësues. Ndërroi jetë tragjikisht në moshën 40-vjeçare. Edhe pse nuk dihet shkaku i vdekjes, fakt është që abuzimi me drogën dhe alkoolin ia përshpejtoi fundin.
Ernest Hemingway – kokteje
Reputacioni i tij si pijedashës njihet gjerësisht.
“Mos u lodhni me kisha, muze, ndërtesa qeveritare apo sheshe. Nëse doni të njihni kulturën e një vendi, kalojeni natën nëpër bare”.
Charles Bukowski – gjithçka
Në romanet e tij gjysmë-autobiografike, alteregoja e tij Henry Chinaski pi gjithçka.
“Pirja e alkoolit është emocionale. Kam bindjen se është një formë vetëvrasjeje, ku të lejohet të kthehesh sërish në jetë për t’ia nisur nga e para ditën tjetër. Unë duhet të kem jetuar 10 mijë jetë deri tani”.
Përgatiti: Elona Qose