skip to Main Content

Si t’i inkurajoni fëmijët të lexojnë për kënaqësi

Nëse fëmija juaj zgjedh me dëshirë të bëjë punë shtëpie në vend që të lexojë një libër; nëse ju duhet t’i luteni gjithmonë të hapë një libër, qoftë për shkollë, qoftë për kënaqësi, është koha të merrni situatën vetë në dorë. Asnjë prind nuk di tamam se si të reagojë kur fëmija e tij e urren leximin dhe është akoma më e vështirë ta motivosh fëmijën që të lexojë, por nuk është e pamundur dhe mbi të gjitha është detyrë e prindit. Sfida më e madhe, për prindërit dhe mësuesit, nuk është thjesht t’i bindin fëmijët të lexojnë, por edhe ta shijojnë leximin. Me kalimin e moshës ulet motivimi për të lexuar në përgjithësi. Nëse njerëzit nuk e shijojnë leximin kur janë fëmijë, është e pamundur që një gjë e tillë të ndryshojë kur të rriten. Ndaj është e rëndësishme që fëmija të inkurajohet për të lexuar.

1. Kthejeni leximin në sfidë

Fëmijët i pëlqejnë sfidat, konkurset me njëri-tjetër. Një mundësi është që t’i nxisësh fëmijët të lexojnë një libër me zgjedhje duke përcaktuar edhe kohën si dhe vlerësimet respektive. Fëmijët nxiten kur mendojnë se do të shpërblehen, qoftë edhe me një përgëzim nga prindërit apo mësuesit. Një tjetër metodë e përdorur nga mësues të ndryshëm është nxitja e fëmijëve për të lexuar gjatë kohës së pushimeve. Fëmijët bëjnë fotografi të tyre duke lexuar në vende të ndryshme dhe fotot më interesante, me fillimin e shkollës, vendosen në muret e klasës.

2. Mbusheni dhomën e fëmijëve me libra

Fëmijët që kalojnë kohë në mjedise të mbushura me libra rriten me idenë se librat janë miq. Mbusheni dhomën e fëmijëve me libra. Me kalimin e kohës, edhe nëse ata nuk e pëlqejnë leximin, do t’i shohin librat si diçka më tepër sesa dekorim.

3. Jo vetëm libra

Bëjeni leximin pjesë të aktiviteteve të fëmijëve. Lejojini ata të lexojnë çdo gjë, nga menytë te tabelat rrugore te raportet mbi motin. Sigurohuni që fëmijët të kenë gjithmonë diçka për të lexuar në  kohën e lirë, nuk është e thënë të jetë letërsi e mirëfilltë.

4. Lejojini të përdorin teknologjinë

Për shumë nga ne, asgjë nuk e zëvendëson librin fizik. Megjithatë, kohët kanë ndryshuar dhe brezat nuk mendojnë dhe veprojnë njëlloj. Lejojini fëmijët të lexojnë nëpërmjet tabletave, i-Pad- eve etj. Këto të fundit kanë edhe të mirat e tyre, pasi adaptohen për fëmijët me aftësi të kufizuara në shikim.

5. Lejojini të zgjedhin

Leximi për kënaqësi është një nga metodat për të pasur rezultate të mira në shkolla. Kështu që është shumë e rëndësishme që fëmijët të lexojnë ato që u pëlqejnë. Mos iu impononi fëmijëve! Sigurisht, është i domosdoshëm kontrolli i materialeve në varësi të moshës, por përveç kësaj, lejojini fëmijët të zgjedhin. Pikërisht këta fëmijë që zgjedhin nëse duan të lexojnë një roman, përralla, revista humoristike, poezi… janë ata që përfshihen më shumë në lexim.

Përgatiti Elona Qose