10 vjeç dhe gjeni…?
“Do të nisim një udhëtim në Europë”,- kështu nis ai që mendohet të jetë krijimi i parë i Ernest Heminguejit. Tregimi i shkurtër u gjet në Florida, në arkivin e një familjeje të afërt me shkrimtarin e njohur. Në kohën kur është shkruar, Hemingueji ka qenë 10 vjeç dhe, sipas studiuesve, tregimi nuk është pjesë ditari, në kohën kur është shkruar nuk ka asnjë të dhënë se Heminguej ka qenë në udhëtim. Ky mendohet të jetë krijimi i parë tërësisht i trilluar i shkrimtarit.
Por Hemingueji nuk është i vetmi artist që e ka nisur krijimtarinë në moshë të njomë…
Xhejn Ostin
Shkrimet e saj të para i përkasin moshës 11-12-vjeçare. Në atë moshë, Ostin shkroi tregime të shkurtra dhe pjesë parodike. Nuk është e vështirë që në këto shkrime të hershme të gjesh gjurmë të heroinave të guximshme në qendër të romaneve të Ostin.
Mozart
Mozart e kompozoi pjesën e tij të parë në moshën 4-vjeçare. Kur ishte 8 vjeç ai shkroi Simfoninë Nr. 1. Kaq mjafton!
Pikaso
Një nga vizatimet e para të Pikasos ishte një statujë e Herkulit që i përkiste të atit. Pikaso në atë kohë ishte vetëm 9 vjeç. Vetëm se në rastin e Pikasos, vizatimet e tij të para nuk janë aspak tregues të gjenialitetit të tij si piktor.
Anne Frank
Historia e saj është e ndryshme dhe tragjike, pasi Anne nuk arriti të rritej kurrë.
Ditari i saj, i shkruar në moshën 13-15 vjeçare, dokumenton jetën e saj dhe të familjes së saj gjatë 2 viteve e gjysmë që jetuan të fshehur në Holandën e pushtuar nga nazistët.
Elona Qose