skip to Main Content

Çfarë të lexojmë…

Ne lexojmë libra për të kuptuar se kush jemi, për të kuptuar se çfarë njerëzit e tjerë, realë ose imagjinarë, mendojnë dhe ndiejnë… Ne lexojmë libra sepse na pëlqen bota në të cilën na fusin… Ne lexojmë libra se ngushëllohemi… Ka qindra arsye sepse lexojmë libra dhe asnjëra nuk është më pak e vlefshme se tjetra.

Nuk ka një kohë të mirë apo të keqe për të nisur një libër, por ka gjithmonë kohë për të lexuar, mjafton të dish ta menaxhosh atë.

Dhe nëse nuk dini ende çfarë të nisni këto ditë të bukura vjeshte, ja disa nga rekomandimet tona:

 

Xhelati i dashurisë – Irvin D. Yalom

Në këtë libër rrëfehen historitë e dhjetë pacientëve që iu drejtuan terapisë, gjatë së cilës u përleshën me dhimbjen e ekzistencës.  Nuk është një libër i lehtë për t’u lexuar dhe mbase jeta është shumë e komplikuar për ta mbushur edhe me vuajtjet e të tjerëve. Por të dhjetë këta njerëz ishin duke vuajtur nga probleme të zakonshme të jetës së përditshme, nga ato që të gjithë ne përballemi herë pas here: vetmi, vetëpërçmim, impotencë, migrenë, kompulsion seksual, mbipeshë, hipertension, zi, obsesion konsumues dashurie, ndryshime humori, depresion. Megjithatë, në njëfarë mënyre (dhe mënyra shpaloset ndryshe në çdo histori), terapia zbulonte rrënjët e thella të këtyre problemeve të jetës së përditshme, që shtriheshin poshtë, në themelin e ekzistencës.

 

Jasemina – Jean Sasson

Subjekti i romanit ka në qendër Jaseminën, një vajzë libaneze, e pafajshme, e re, e edukuar në kolegje, një anglishtfolëse e përsosur. Ishte dhe e virgjër, si motër e bijë myslimane e devotshme. Kur avioni që do të nisej nga Kuvajti u anulua për shkak të pushtimit të vendit nga Iraku, ushtarët pushtues e futën atë në një burg grash, ku rojet i përdhunonin dhe torturonin vazhdimisht të burgosurat e tyre…

 

Kambana e qelqtë – Silvia Plath

“Kambana e qelqtë” është një roman në të cilin autorja rrëfen ngjarjet e jetës së saj në moshën 20-vjeçare; orvatjen e saj për vetëvrasje dhe rikthimin në jetë me paterica. Është një roman i jashtëzakonshëm, po aq i hidhur dhe i pamëshirshëm sa dhe poezitë e saj të fundit…

 

Deti i paanë i Sargaseve – Jean Rhys

Një prelud i historisë klasike e të paharrueshme të Xhejn Erit. Autorja përfytyron Roçesterin para se ai të bëhej punëdhënësi manipulues i Xhejnit, por mbi të gjitha, ajo rrëfen se kush ishte bashkëshortja e tij e marrë, para se të shndërrohej në atë përbindëshin e fshehur që fanitet netëve në Thornfilld. Ky roman mbresëlënës u jep zë historive të lëna në harresë, të heshtura e të panjohura, duke eksploruar dritëhije të ndryshme të mënjanimit dhe të përçmimit: gjinia, klasa, raca dhe çmenduria.

 

Mos më lër të shkoj – Kazuo Ishiguro

Libri i vetëm në shqip i fituesit të  këtij viti të çmimit Nobel në Letërsi, “Mos më lër të shkoj” është edhe libri më i njohur dhe më i vlerësuar i tij.

31-vjeçarja Keti jetonte në Heilsham në një shkollë private, ku fëmijët ishin strehuar larg nga bota e jashtme, të rritur me idenë se ata ishin të veçantë dhe mirëqenia e tyre ishte e rëndësishme jo vetëm për ata, por për gjithë shoqërinë. Keti prej shumë kohësh e kishte hedhur pas të shkuarën e saj, deri kur dy nga miqtë e vet të Heilshamit kthehen sërish në jetën e saj dhe ajo nuk arrin t’i bëjë më ballë rikthimit të kujtesës.

 

Çështja e çuditshme e Dr. Xhekillit dhe Z. Had – Robert L. Stevenson

Nëse nuk e keni lexuar ende këtë libër, mos humbni më kohë. Një kombinim tepër interesant i trillerit fantastik dhe i alegorisë morale, ku përshkruhet përballja e ashpër ndërmjet dy personaliteteve të kundërta të shpirtit të një njeriu: njëri në thelb i miri dhe, nga ana tjetër, i keqi.

E. Qose