skip to Main Content

E patitullt

Shfaqja ka kohë që ka mbaruar, dhe ju nuk e kini ulur siparin. Mund të më thoni pse? A e dini që ka njerëz që nuk duan ta rikujtojnë më atë shfaqje? – ishte heshtja e sallës që fliste brenda atyre stolave bosh.
– Nuk mundemi ta ulim siparin. Pastaj, pse shqetësohesh kaq shumë ti? Ti nuk ke asnjë spektator të ulur në stolat e tu, – iu përgjigj skena e madhërishme.
– Spektatorët nuk janë vërtet por aktorët ndodhen aty në skenë, sepse sipari i hapur ruan ende imazhin e tyre.
– E ç’të keqe kanë imazhet e tyre? Ata e luajtën shumë bukur rolin e tyre edhe shfaqja ishte shumë e bukur. Në ketë botë ku sundon ambicia, xhelozia, lufta, varfëria, ngrohja globale e të tjera si këto, të luash një shfaqje ku himnizohet e madhërishmja, sublimja, siç është dashuria, është vërtet diçka me vlerë.
– Ti flet për dashurinë, por ajo dashuri, që ti e himnizon, nuk ekziston më.
– Jam dakord me ty që e pranon që dikur ka ekzistuar ajo dashuri. Ajo dashuri ka ekzistuar në zemrat e njerëzve.Ti thua se nuk ekziston më, – nje tundje koke shoqëroi gjithë skenën, – dashuria ekziston akoma, por je ti që nuk dëshiron ta pranosh.
– Nuk është e vërtetë që nuk e pranoj, por unë nuk arrij ta kuptoj ku janë protagonistët e dashurisë kur nuk janë pranë njëri-tjetrit.
– Epo kjo është e bukura, dhe kjo është arsyeja pse nuk mund ta mbyllim siparin sepse dashuria jeton e gjallë në zemrat dhe kujtimet e tyre, shfaqja ende s’ka mbaruar.
Nje trak-truk u dëgjua, dhe skena hodhi sytë në hyrje të sallës, qeshi.
– Mos po kërkoje gjë protagonist? – pyeti me krenari sallën.
Salla ktheu kokën. Një grua pasi përshkoi gjithë sallën u ul në rreshtin e parë.
– Kush do jetë? – pyeti salla.
– Ç’rëndësi ka kjo, rëndësi ka që erdhi!
Ajo po vështronte skenën e heshtur. Në faqe i pikuan dy pika lot.
– Po qan!
– Po mallëngjehet nga shfaqja. Të thashë që dashuria ekziston, po ti gjithmonë kokëfortë. Ti ke ndjerë peshën e trupave të tyre në stolat e tu, ndërsa unë kam parë entuziazmin në sytë e tyre, kam parë mallëngjimin, lotët.
– Jam shumë dakord me këto që thua, – fliste salla me zë të ulët, duke pranuar ato që thoshte skena, – por a mund të me thuash, ku është protagonisti tjetër, sepse vetëm me një protagonist nuk ka dashuri, nuk ka shfaqje.
– E marrë!- iu përgjigj skena.- Nuk arrin ta kuptosh që brenda një protagonisti janë shkrirë që të dy? Po mjaft tani, ta lëmë të qetë se ajo është e përqendruar te shfaqja! Tani besoj se e kuptove pse nuk e ulim siparin. Sado qe kjo botë po shkon drejt prishjes, drejt shkatërrimit, egoizmit, ende ka njerëz që mbi gjithçka vënë dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për jetën.
Mars 2010 Viola Aliaj