Halloween, ja librat më të frikshëm se filmat horror
Libra të verdhë, triller, horror, gjithçka për natën më të frikshme të vitit …
Halloween prej vitesh festohet në të gjithë botën. Nga ajo festa e frikshme, tashmë është kthyer në më argëtuese. Shtriga, vampirë, demonë… nuk janë më kostumet ekskluzive të kësaj feste, megjithatë sa më të frikshme, aq më mirë.
Dhe meqë jemi në prag të kësaj feste, nuk mund të linim pa përmendur disa nga librat më të frikshëm dhe si rrjedhojë më të përshtatshëm për të periudhë.
Edgar Alan Po është mbase “babai” i letërsisë horror. Tregimet e tij të mistershme i kam lexuar vonë, kur isha studente, pikërisht sepse për shijen time ishin shumë të frikshme. Por, po është një shkrimtar i magjishëm. “Tregime imagjinare dhe të mistershme” është një libër që duhet lexuar.
Kur flasim për libra të frikshëm, askush nuk krahasohet me Stefën King. Ai është mjeshtri i letërsisë horror, disa nga librat e tij janë realizuar në filma shumë të suksesshëm. Një nga librat e tij më të mirë është “Celulari”.
“Frankeshtajn” është kryevepra e Mary Shelley dhe një nga librat më të njohur që i ka rezistuar kohës. Viktor Frankeshtajni mendon se ka gjetur të fshehtën e jetës; me pjesë të ndryshme kufomash ai i jep jetë një qenieje të re, që në fakt është një përbindësh.
“Drakula” – libri që ka frymëzuar ndër vite dhjetëra realizime filmike. I pari i llojit të vampirëve, si u kthye në monstër dhe mitet që qarkullojnë për të.
Duke qëndruar te vampirët (personazhe shumë në modë vitet e fundit), vjen saga e vëllezërve Salvatore në tre librat “Ditari i vampirit”, nga është frymëzuar edhe një seriali hit me të njëjtin titull.
“Lojërat e urisë” – si mund të mos jetë i frikshëm dhe traumatik një libër ku personazhe kryesorë janë disa fëmijë që detyrohen të ndeshen me njëri-tjetrin deri në vdekje, derisa të mbetet vetëm njëri prej tyre?!
“Rruga” nga Cormac McCarthy. Ju mund ta quani këtë libër një lloj fantazie post-apoliptike, por në fakt ky roman ka kaq shumë elemente terrori sa të klasifikohet pa problem mes librave të frikshëm. Është historia e një babai dhe djalit të tij, që ndërmarrin një udhëtim pas kataklizmës globale.
– “Metamorfoza” – Franz Kafka. Gregori Samsa zgjohet një mëngjes dhe shikon se është shndërruar në një kandërr gjigante. Kaq mjafton! Një shkrimtar anglez i zhanrit horror ka thënë se njerëzit që lexojnë horror janë më të shëndetshëm mendërisht sesa ata që e refuzojnë këtë zhanër.
Sipas tij, në libra të tillë njerëzit ndërmarrin një udhëtim drejt çdo lloj frike të mundshme dhe kur kthehen, janë të lirë nga çdo makth.
E.Qose