skip to Main Content

Këngë të mbështetura në libra e shkrimtarë

Disa nga filmat më të mirë në historinë e kinematografisë janë mbështetur në libra. Tashmë është e zakonshme që një numër i mirë prodhimesh filmike në vit nuk kanë skenar origjinal, ndërsa televizioni prej vitesh u është kthyer librave, të cilët i sjellin në formën e serialeve.

Por librat e autorët e tyre nuk tërheqin vetëm skenaristë e regjisorë, por edhe këngëtarë.

Më poshtë do t’ju sjellim një listë me këngë, të publikuara ndër vite dhe të frymëzuara nga veprat letrare.

 

David Bowie – 1984

“1984” është këngë e vitit 1974 nga albumi i Bowie-t “Diamond dogs”. E shkruar një vit para publikimit, kënga, ashtu sikurse titulli sugjeron, është frymëzuar nga vepra e njohur e George Orwell. Kënga dhe i gjithë albumi u shkrua me idenë për t’u vënë në skenë si muzikal, por nuk u arrit të prodhohej kurrë, pasi këngëtarit iu refuzua leja.

 

Lou Reed – Romeo kishte Xhuljetën

Romeo dhe Xhuljeta në kohë moderne, në rrugët e Nju Jorkut…

 

Prince – The Ballad of Dorothy Parker

Pjesë e albumit më të vlerësuar të tij, “Sign O’ The Times”, “The Ballad of Dorothy Parker” në fakt ka marrë vetëm emrin e poetes amerikane. Dorothy Parker e Princit ishte një kameriere, me të cilën  ai kaloi një pasdite. Vetë muzikanti ka thënë se nuk e njihte poeten, por thjesht i pëlqente se si tingëllonte emri i saj në tekstin e tij, ndaj e përdori. Dhe në fakt ka sens: të dy, si Princi edhe Dorothy, ishin të talentuar, të gjithanshëm dhe të pashqetësuar për thyerjen e normave.

 

Ryan Adams – Sylvia Plath

Në një intervistë në shtator 2001, Adams kishte me vete një nga ditarët e shkrimtares dhe poetes amerikane Silvia Plath, e  cila vrau veten në vitin 1963, në moshën 30-vjeçare.

Vdekjet e hershme e kanë shoqëruar gjithmonë rrok & rrollin dhe vdekja e saj në moshë të re nuk kishte si të mos tërhiqte vëmendjen e këngëtarëve. Adams admiron pasionin e saj, por edhe ndjeshmërinë.

 

Phish – Prince Caspian

“Prince Caspian” mbështetet tërësisht në princin mitik të “Kronikat e Narnias”, sidomos libri i dytë i serisë. Kur u publikua, fansat e grupit ishin konfuzë, duke mos arritur të kuptojnë thelbin e këngës. Vite më vonë, tonet janë zbutur dhe fansat më të zjarrtë kanë arritur ta pranojnë në katalog, por që të jemi të sinqertë, fillimet nuk ishin aspak të mira.

 

Iron Maiden – Brave New World

Kënga “Brave New World” është pjesë e albumit me të njëjtin titull e grupit Iron Maiden. Kënga, albumi dhe madje edhe kopertina e tij janë frymëzuar nga libri me të njëjtin titull (Më e mira e botëve) e Aldous Huxley.

 

Përgatiti: Elona Qose