“Mos, jam favorit!”
Çmimi Nobel në Letërsi do të shpallet të enjten, datë 5 tetor. Ashtu si çdo vit, kritikë, studiues, gazetarë nxjerrin favoritët për këtë çmim dhe në të shumtën e rasteve, asnjëri prej tyre nuk fiton.
Sërish këtë vit, ndër pretendentët është japonezi Haruki Murakami, që në 3 vitet e fundit bën një lutje publike: Mos më citoni mes favoritëve!
Nga ana tjetër, amerikani Filip Roth, të cilit, sipas shumë kritikë, akademia e Nobelit i detyrohet pasi duhej të ishte vlerësuar shumë kohë më parë, çdo vit, ditën e ndarjes së Nobelit, vesh kostumin më të mirë, ulet në zyrën e tij dhe pret telefonatën… që ende nuk i ka ardhur.
Të dy janë sërish mes favoritëve, ashtu sikurse edhe Amos Oz, Ngugi Wa Thiong’O dhe Margaret Atwood.
Me shumë mundësi, asnjëri prej tyre nuk do të dalë me çmimin e lakmuar.