skip to Main Content

Ndërron jetë albanologu i njohur Robert Elsie

Ndërron jetë në në moshën 67 vjeçare albanologu Robert Elsie. Studiues, përkthyes, njeriu që i dha zë në anglisht autorëve brilantë të letërsisë shqipe, nga Fishta e Migjeni të Ali Podrimja dhe Fatos Kongoli nuk jeton më.  Një fond të rëndësishëm të veprave të tij, ai ia ka dhuruar Bibliotekës Kombëtare.

Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuver, Kanada, më 29 qershor 1950. Ai ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike, ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua në vitin 1972. Po atë vit, erdhi në Europë me një bursë studimesh. Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor, pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta në Irlandë dhe në Universitetin e Bonit, ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimore dhe keltologji më 1978-n. Në atë kohë, Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bonit kishte kontakte me studiues nga Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të takimeve shkencore midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë. Këto udhëtime në fund të viteve ’70 i ngjallën interes për Shqipërinë. Pasi mësoi shqip, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë. Elsie është autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë.