skip to Main Content

Pablo Neruda, vdekje natyrore apo vrasje e pastër?

Pablo Neruda nuk vdiq nga kanceri. Të paktën ky është konkluzioni i një grupi ekspertësh, të cilët kanë analizuar eshtrat e zhvarrosura të poetit kilian. Sipas dokumenteve zyrtare, shkak i vdekjes së Nerudës ishte kanceri i prostatës dhe  një sëmundje tjetër rrjedhojë e së parës, që quhet kancer cachexia dhe karakterizohet nga një humbje ekstreme e peshës së trupit.  Por njëri nga ekspertët, Aurelio Luna, në një konferencë për shtyp për rezultatet e hetimit, tha se paneli me 16 ekspertë është 100 për qind i bindur se shkaku zyrtar i vdekjes së poetit është i gabuar.

“Të gjitha të dhënat tona tregojnë se në momentet e fundit, Neruda ishte obez, kështu që shkaku zyrtar është komplet i gabuar, nuk ka asnjë mundësi shkencore e logjike mbi të cilën të mbështetet. Të gjitha të dhënat tona tregojnë se në fazën e fundit të jetës, Neruda ishte prekur nga një lloj infeksioni”, – tha Luna, por pa dhënë detaje të tjera mbi llojin e infeksionit.  Dhe mbi të gjitha, pa konfirmuar nëse vdekja e Nerudës ishte natyrale.

Prej vitesh janë ngritur dyshimet se poeti i njohur kilian është vrarë në shtratin e spitalit. Shumë të afërm të Nerudës, përfshi nipin e tij Rodolfo Reyes dhe asistentin  Manuel Araya, këmbëngulin se Neruda u vra për shkak të lidhjeve të ngushta me presidentin kilian  Salvador Allende, i cili po ashtu vdiq vetëm dy javë para Nerudës në rrethana të dyshimta gjatë një  grushti shteti të udhëhequr nga gjenerali Augusto Pinochet.

Sipas asistentit të tij, Neruda vuante vërtet nga kanceri i prostatës por nuk ishte në gjendje të rëndë. Madje ai pretendon se Neruda i kishte thënë se i kishin injektuar një substancë ndërsa flinte në spital.

“E vetmja gjë që dua të arrij para se të vdes është që bota të dijë të vërtetën: Pablo Neruda u vra”,- tha asistenti i poetit për mediat.

Elona Qose