Pse historitë e shkurtra janë të rëndësishme
Fëmijët kanë nevojë për letërsi
Tashmë është bërë e zakonshme edhe te ne që prindërit u lexojnë fëmijëve të tyre histori të shkurtra/përralla para se t’i vënë në gjumë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm jo vetëm për lidhjen e fëmijës me prindërit, por edhe për zhvillimin e imagjinatës së tij.
Librat i mësojnë fëmijët se si të krijojnë lidhje edhe me personazhe të pazakontë; u lejojnë atyre të imagjinojnë se si do të ishin në vend të një personazhi të caktuar dhe u mësojnë të krijojnë simpati për një personazh më shumë sesa për të tjerët.
Mbi të gjitha, leximi i librave fëmijëve të vegjël i ndihmon ata të ndërtojnë një perceptim të vetin mbi botën. Pikërisht kjo ka nxitur ndërmarrjen e një sërë nismave sensibilizuese në vende të ndryshme të botës për të promovuar leximin te fëmijët.
Leximi para gjumit është shumë përfitues për fëmijët, sidomos në moshën që ata ende nuk mund të lexojnë vetë. Së pari, fëmijët janë të entuziazmuar për orarin e gjumit, gjë që nuk ndodh shpesh. Por kur leximi bëhet zakon, fëmijët mezi presin të mësojnë pjesën e historisë që kanë lënë përgjysmë dhe mbi të gjitha ta dëgjojnë historinë nga nëna ose babai. Gjithashtu, kur prindërit nisin t’u lexojnë fëmijëve kur janë ende shumë të vegjël u mësojnë atyre të kuptojnë dhe të aftësohen me gjuhën para se të hyjnë në shkollë.
Elona Qose