skip to Main Content

Udhë e thyer

Shpejt ma zunë ca re të zeza kaltërsinë e qiellit tim,
Veç më nisen disa shkresa, si një dozë për ngushëllim.
Pasi m’vodhën copëza drite, buzë gremine vet’ më lanë,
Ca ngërdheshje ironike sikur plumb mbi gjoks më ranë.

Shpejt m’i mori krejt çka pata, kohë përbindëshe, e pa fe,
Gjithë gëzimet nëpër data m’i groposi thellë nën dhè.
Si kujtim më mbet i hidhur, një mungesë që rron e gjallë,
I ngjan shpresës së pabindur, është si malli-përmbi-mall.

Shpejt ia njoha gjithë mungesat kësaj bote hileqare:
Natës kur mungojnë nënkresat, prej mjerimit të ndjesh marre;
Dita të të zbardhë të lodhur nga një bark që ulërin;
Veç me ujë të jesh e ngopur dhe me barrën përmbi shpinë.

Shpejt më lodhi jetë e çmendur, çmenduri e njerëzisë,
Si një breshër vjen e dendur gjithë kjo loj’ e djallëzisë.
Ndoshta, shpejtas iu dorëzova, këtij fatit tim të keq,
Por besomëni, luftova, dhe u munda si për dreq.

Nga Fatmira Loci