skip to Main Content

Çfarë të bën lexues të mirë, sipas Vladimir Nabokov

Fjalën “lexues” unë e përdor rëndom, edhe pse për mendimin tim, ne nuk mundemi thjesht të lexojmë. Çfarë dua të them është se një lexues i mirë është ai që jo thjesht lexon, por rilexon. Që ta shpjegoj më mirë, kur lexojmë një libër për herë të parë, vetë procesi i të lexuarit kërkon që sytë tanë të lëvizin mes rreshtash, nga e majta në të djathtë, rresht pas rreshti, fjali pas fjalie, faqe pas faqeje. Pikërisht ky proces fizik, i ndikuar edhe nga faktorët vend dhe kohë, qëndron mes nesh dhe vlerësimit artistik të asaj që lexojmë. Ndërkohë, kur sodisim një pikturë,  lëvizjet e syve janë të kufizuara brenda tablosë që kemi përballë, pavarësisht elementeve të shumta që mund të fshihen në një vepër të mirë arti. Faktori kohë nuk ka asnjë ndikim në vlerësimin që i bëjmë një pikture.

Vetëm me leximin e tretë apo të katërt të një libri është e mundur që ta shijojmë atë ashtu sikurse një tablo herën e parë, ku sytë kanë funksionin kryesor. Megjithatë, të mos ngatërrojmë syrin fizik, këtë kryevepër të evolucionit, me një tjetër kryevepër: mendjen! Dhe për librin, pavarësisht llojit e zhanrit,  vëmë në punë trurin.

Një lexues i mirë, pra, është ai që gjen kohë të rilexojë, që ka imagjinatë, kujtesë, fjalor dhe sens artistik.

 

Përktheu: Elona Qose