skip to Main Content

Dita e punës së shkrimtarëve të njohur

Çdo shkrimtar ka rutinën e tij të të shkruarit. Disa shkruajnë që herët në mëngjes, të tjerë preferojnë pasditen e vonë e të tjerë punojnë natën, atëherë kur bota fle dhe muzat të përkëdhelin mendimet…

Isabel Allende në mënyrë rigoroze i nis romanet e saj vetëm në një datë: 8 janar. Pikërisht në këtë datë ajo mban një ceremoni të shkurtër për të thirrur shpirtrat dhe muzat e frymëzimit dhe pastaj nis të shkruajë faqen e parë.

 Gustav Flober shkruante natën sepse gjatë ditës  e bezdisnin zhurmat. Pastaj ngrihej në 10:00 të mëngjesit, lexonte gazetat ndërsa tymoste llullën dhe hante mëngjesin.

Thomas Mann zgjohej gjithmonë para orës 8:00 të mëngjesit, pinte kafenë, hante mëngjesin me të shoqen dhe në 9:00 mbyllej në studio, ku ishte e ndaluar të hyje. Punën e ndërpriste pasdite vonë dhe mbrëmjeve i pëlqente të bënte shëtitje dhe të dëgjonte muzikë.

Xhejms Xhojs, në ndryshim nga shumë nga kolegët e tij ishte më kaotik. Ngrihej vonë në mëngjes dhe punonte më së shumti pasditeve, ndërsa mbrëmjet i kalonte nëpër bare.

Marsel Prust flinte ditën e shkruante natën. Zakonisht flinte deri në 4:00 pasdite.

Agata Kristi nuk kishte një studio ku të punonte. Ulej ku të ndihej mirë dhe nëse niste të shkruante diçka i dedikohej plotësisht asaj.

Për Heminguejin, shkrimi ishte një akt dashurie. Ai nuk ndiqte orare fikse për të shkruar, megjithatë më së shumti shfrytëzonte mëngjesin.  

Elona Qose