Kur malli flet…
Ti linde ditëve të lamtumirave.
Ehhhh… koha forcoi rrënjët e tua!
Degëve ku dielli i lumturisë buzëqeshte,
strukeshe e rriteshe në mua.
Fort, sa fort i klithe sot qënies time!
Para teje i vogël dukej mali!
S’të ndali dimri as i egri mot.
Zemrës i trokite e i the:- Jam Malli!
Më përshëndete me gjuhën e prindit.
Me ledhatime sikur ata sot më zgjove.
Aromën e lëndinave mbledhur,
dhe mjaltin vetë ëmbëlsove.
Kur Dielli përshëndeste mëngjeseve,
nën kodër të voglën shtëpizë,
kaq pranë ti Mall sot ma solle.
Kujtimet ledhatojnë si puhizë.
Zëri yt lule pranvere,
si oshëtimë që ecën e s’ndalet.
Më fole sot Mall me rininë,
sapo drita t’i çeli petalet.
Rende si unë dikur,
me faqet e skuqura prush.
Venerë kur më dukej vetja,
borën kur mblidhja në Gusht.
Mes cicërimash më solle mëngjesin,
mbrëmjes më këndove ninullë.
Sa ëmbël tingëllonte zëri yt,
si dikur fëmijëve unë.
Sot çele ti Mall pa më pyetur
e unë u bëra një me ty.
më pushtove fort brenda vetes,
Qamë edhe qeshëm të dy…
Melaize Gropa