skip to Main Content

Librat që duhet të lexojnë fëmijët deri në 12 vjeç

Nga librat me rrëfenja te novelat, letërsia fantastike dhe librat metodikë, është fakt se letërsia ka ndikim të jashtëzakonshëm në rritjen dhe formimin e fëmijëve. Disa janë libra që i gjen pothuajse në çdo bibliotekë, të tjerë janë libra të rinj por që kanë cilësitë e duhura për t’u quajtur klasikë, këta janë lirat që çdo fëmijë duhet t’i lexojë para se të bëhet 12 vjeç.

 

Ana Flokëkuqja – L. M. Montgomery

Ky roman klasik ndjek aventurat e Ana Shirlit, kokëkuqes energjike, e cila shkon të jetojë pranë një familjeje në Grin Gejbëlls dhe fiton zemrat e gjithë atyre që takon. Romani “Ana flokëkuqja” është një nga më të paharruarit dhe njëkohësisht një nga më të këndshmit në të gjithë letërsinë botërore.

Unë jam Malala – Malala Jusafzai

Autobiografia e fitueses më të re të çmimit Nobel për Paqe dhe e vlerësuar në të gjithë botën, Malala Jusafzai u plagos rëndë në kokë nga talebanët, pas fushatave për zhvillimin e arsimit dhe të drejtat e gruas për arsim, por shpëtoi dhe u kthye në një prej luftëtareve të të drejtave të grave në Pakistan dhe gjithë botën.

Koralina – Neil Gaiman

Rrëfimi i Gaiman-it është plot fantazi. Lexuesit e rinj dhe ata të të gjitha moshave do të gjejnë diçka befasuese.

Koralina pyeste shpesh veten se çfarë fshihej pas një dere gjithmonë të mbyllur me çelës. Në një moment të shkurtër ajo sheh vetëm një mur me tulla, por kur e provon sërish më vonë, para saj del një kalim misterioz. Koralina habitet kur sheh një apartament të dekoruar njëlloj si i saji, por të ndryshëm në një mënyrë të çuditshme. Dhe kur zbulon prindërit e tjerë të saj, në një univers alternativ, ajo kupton se ata janë shumë më interesant dhe zbavitës, pavarësisht syve krejtësisht të zinj.

 

Liza në botën e çudirave – Luis Karol

Libri i mirënjohur i Luis Karol përshkruan aventurat e mrekullueshme të Lizës, duke na futur në një botë magjike, ku asgjë nuk është e pamundur.

 

Mrekullia – R.J. Palacio

Agustin Pullmani ka lindur me disa deformime të rënda në fytyrë dhe kur të tjerët e shohin për herë të parë, detyrohen të kthejnë kokën ose të ulin sytë, për të fshehur tmerrin dhe neverinë që i pushton. Për shkak të problemeve shëndetësore, ai nuk ka mundur të shkojë në një shkollë të zakonshme derisa bëhet 11 vjeç.

E. Qose