skip to Main Content

Libri i trishtë …

Anatomia e humbjes me ilustrimet e Quentin Blake

Ky jam unë i trishtuar. Duke parë imazhin, me shumë mundësi mendoni se jam i lumtur. Në të vërtetë jam i trishtuar, por bëj sikur nuk jam sepse mendoj se njerëzit nuk do të më duan nëse dukem i trishtuar.

Ndonjëherë trishtimi më mbyt, është kudo.

Pastaj dukem kështu dhe nuk mund të bëj dot asgjë për ta ndryshuar.

Më shumë trishtohem kur mendoj për tim bir, Edin. E doja kaq shumë, megjithatë ai vdiq.

Kur mendoj për Edin, trishtimi kthehet në zemërim.
Them me vete: Si guxoi që vdiq? Si guxoi të më shkaktonte këtë dhimbje?!

Edi nuk përgjigjet. Nuk mundet, nuk është më këtu.

Ndonjëherë dua të flas me dikë për të gjitha këto.

Dua të flas me nënën time. Por as ajo nuk jeton më.

Ndonjëherë nuk dua të flas fare. Me asnjë.

Dua thjesht të mendoj. Është historia ime, dhimbja ime, e askujt tjetër.

Ndonjëherë jam i trishtuar dhe nuk e di pse.

Trishtimi vjen si re e më mbulon kryet.

Nuk ndodh për shkak të Edit, as për shkak të nënës. Thjesht më ndodh.

 

Ku gjendjet trishtimi?

Kudo. Ashtu tinëzisht vjen dhe të gjen.

Kë kap trishtimi?

Këdo. Ashtu tinëzisht vjen dhe të gjen…

 

Michael Rosen

Përktheu: Elona Qose