Shumë të zënë për të lexuar? Nuk jeni të vetmit
Puna, shtëpia, fëmijët, gatimi, pazaret… Instagrami… sa shumë gjëra për të cilat duhet të gjejmë kohë gjatë ditës! Po leximi? Fatkeqësisht, e pranojmë ose jo, shumica e njerëzve për leximin nuk gjen më shumë kohë. E mbështesin edhe studimet. Një i tillë i mbajtur në Britani tregoi se më shumë se dy të tretat e britanikëve pranojnë se nuk kanë kohë në dispozicion për të lexuar. Shumica pranojnë se do t’u pëlqente të lexonin më shumë, por … nuk kanë kohë.
Justifikimi shpesh mbetet i tillë, sepse që të jemi të sinqertë kohën secili e organizon vetë në bazë të prioriteteve dhe, mesa duket, leximi fatkeqësisht nuk është më prioritet.
Megjithatë, jo gjithmonë e pranojmë se nuk lexojmë dhe mbi të gjitha për disa libra të veçantë bëjmë sikur i kemi lexuar. Në një shkrim të mëparshëm ju kemi njohur me një listë librash për të cilët njerëzit gënjejnë më shpesh se i kanë lexuar. Bëhet fjalë më së shumti për klasikët, “Lufta dhe paqja”, “Krim dhe ndëshkim”, “Zonja Bovari” etj. Por ka edhe disa tituj që shumë njerëz bëjnë sikur i kanë lexuar, por në të vërtetë kanë parë vetëm filmat bazuar në ta, thjesht për shkak të popullaritetit.
- Kodi Da Vinçi
Libri ishte bestseller, megjithatë shumë pranojnë se kanë parë vetëm variantin kinematografik me Tom Hanks.
- Gjuetari i balonave
Libri u bë film shumë shpejt, por në ndryshim nga ai më sipër nuk kishte ndonjë prodhim me buxhet të madh hollivudian. E megjithatë, shumë njerëz e kanë më të lehtë t’i kushtojnë vetëm dy orë historisë së Hossein. Mëkat!
- Burra që urrejnë gratë
Libri u bë fenomen, sa në një kohë të shkurtër pati dy ekranizime, së pari nga një prodhues suedez dhe më pas me një buxhet të madh dhe aktorë të njohur hollivudianë.
- Kumbari
Për këtë nuk i vëmë faj njeriu. Është një nga ato rastet e rralla kur filmi bëhet më i famshëm sesa libri mbi të cilin është bazuar.
- Bashkë me erën
Edhe në këtë rast vlen shpjegimi i mësipërm.
- Ditari i Brixhit Xhons
Libri është shumë i këndshëm, por filmi, të paktën pjesa e parë, është plot me dialogë inteligjentë dhe humor anglez.
Përgatiti: Elona Qose