skip to Main Content

Zëra nga Çernobili

Më 26 prill 1986, në orën 1:23:58, një seri shpërthimesh shkatërruan reaktorin në stacionin bërthamor të Çernobilit. Ishte katastrofa më e madhe teknike në shekullin XX…
Për Bjellorusinë e vogël (10 milionë banorë) ishte një fatkeqësi kombëtare. Sot, një në pesë bjellorusë jeton në tokë të kontaminuar. Janë gjithsej 2.1 milionë njerëz, 700 mijë prej të cilëve fëmijë…
***
Po iknim… Gjunjëzuar, mora pak dhe’ nga varri i nënës: “Na fal që po të lëmë!”. Shkova natën te varri, nuk kisha frikë. Njerëzit po shkruanin emrat e tyre nëpër shtëpi, nëpër pemë, në asfalt…
Në dimër, netët këtu janë shumë të gjata. Ndonjëherë ulemi dhe numërojmë: Kush vdiq?
***
Burri lëngoi në shtrat për dy muaj. Nuk tha asgjë. Nuk më përgjigjej. Nuk duhet të qash para një njeriu që është duke vdekur; do ta kthesh nga rruga drejt vdekjes dhe sa do t’i shtosh vuajtjet. Nuk qava. Kërkova vetëm një gjë: “Përshëndet vajzën tonë dhe nënën time të dashur”. U luta që të iknim bashkë. Ca zota do ta kishin bërë, por Ai nuk më la të vdisja. Jam gjallë…
***

Lava shtëpinë. Në tavolinë lashë  bukë e kripë, një pjatë të vogël dhe tri lugë. Kur largohesh, duhet të lësh lugë për çdo frymë në shtëpi, sipas besëtytnive, mund të kthehesh një ditë.

Për shkak të rrezeve, lafsha e kuqe e zogjve ishte bërë e zezë. Nuk bënim dot as djathë sepse qumështi bëhej si pluhur i bardhë. I gjithë gardhi më ishte bërë i bardhë, sikur ishte mbuluar me shkumës.

***

Nuk donim të iknim. Burrat ishin të gjithë të dehur. Nuk na gënjejnë dot më, nuk po na çojnë gjëkundi. Nuk kishte dyqane, as spitale. Nuk kishte energji elektrike. Ishim ulur rreth llambës së vajgurit, në qiell të hapur. Dhe na pëlqente sepse ishim në shtëpi.

***

Policët bërtisnin. Erdhën me makina, ndërsa ne ia mbathëm nëpër pyll, ashtu si ia mbathnim nga gjermanët. Një herë erdhën me një prokuror që vetëm shfrynte. “Le të më fusin një vit në burg”,- thashë atëherë. “Do ta shlyej dhe do të kthehem prapë”. Detyra e tyre është të bërtasin, e jona është të rrimë urtë.

….

Gruaja ime mori fëmijën dhe iku. Kuçka! Nuk do vras veten. Kur u ktheva atëherë me një valixhe plot me para i pëlqeu, nuk u tremb. Ndërsa tani po. Tani ka frikë. Mori dhe fëmijën. Kuçka!

***

Miku im vdiq. U trash shumë, u fry si bucelë. Edhe fqinji im ishte atje, punonte një vinç. U bë i zi si qymyr dhe u tkurr kaq shumë sa vishte rrobat e të birit. Nuk e di se si do të vdes. Por di një gjë: me diagnozën time nuk e ke të gjatë. Do të doja ta ndieja, si një plumb ballit. Kam qenë edhe në Afganistan. Ishte më e lehtë; atje thjesht të qëllonin…

Svetllana Aleksievic

Përktheu: Elona Qose

This Post Has One Comment

Comments are closed.