Biblioteka e Lev Tolstoit
Dikur librat ishin ekskluzivitet i një pjese të caktuar të shoqërisë, sot shoqëria çdo ditë përpiqet të gjejë mënyra që ta çojë librin te sa më shumë njerëz.
Kemi dëgjuar tashmë për kafenetë letrare, që edhe këtu te ne janë përhapur shumë. Një ide mjaft interesante, pasi janë vende të këndshme jo vetëm për të lexuar, por ku lexuesit mund të bashkëveprojmë dhe të flasin për pasionin e tyre: librin.
Po ashtu, ju kemi treguar për disa nisma të ndërmarra nëpër botë: siç është letërsia “nën tokë” e Londrës; disa nga metrotë e Londrës, në një periudhë të caktuar, janë të mbushura me poezi, si një mënyrë për të promovuar poezinë dhe për të ndërgjegjësuar lexuesit.
Një tjetër ide interesante, sërish e lidhur me transportin publik, vjen nga Rusia, ku është vënë në punë treni ekspres “Lev Tolstoi”. Emri nuk është thjesht simbolik.
Treni që lidh Moskën me Helsinkin ka vënë në dispozicion për udhëtarët një bibliotekë me libra të shkrimtarëve rusë dhe finlandezë, në gjuhët origjinale ose të përkthyer vetëm në këto dy gjuhë.
Dhe nuk mbaron me kaq. Ata që udhëtojnë në këtë linjë mund edhe të fitojnë librin që lexojnë gjatë udhëtimit. Ajo çfarë duhet të bëjnë është të shkrepin një foto në tren me librin që po lexojnë dhe ta postojnë në Instagram. Ata që rezultojnë me fotot më të bukura dhe më të pëlqyera fitojnë librat.
E.Qose