skip to Main Content

Çfarë të dhurojmë për festa?

Një libër dhuratë për shefin/en? Titujt që mund të blini dhe ata që duhet të shmangni


Festat janë në prag dhe kur ka festa, ka edhe dhurata. Nëse nuk keni vendosur akoma se çfarë të dhuroni, neve të Botimeshqip ju vijmë në ndihmë me një seri artikujsh përgjatë ditëve në vijim. Tituj të ndryshëm për njerëz të ndryshëm, që zgjedhja juaj të jetë e mirëpritur.
Dhe jo vetëm kaq, ne do t’ju themi edhe çfarë të mos dhuroni që mendimi dhe paratë mos t’ju shkojnë dëm.
Për sot, ju tregojmë çfarë mund t’u dhuroni shefave.
Mos mendoni se dhurata për shefin është gjithmonë shenjë servilizmi. Nuk ka asgjë keqe t’u bësh ndonjë dhuratë të vogël. Në këtë rast libri është perfekt, por duhet të jeni shumë të kujdesshëm për titullin që do të zgjidhni.

Çfarë të dhuroni

“Një minutë menaxher”
Në këtë libër, autorët paraqesin tri teknika të vlefshme për t’u bërë menaxher i suksesshëm: synim, vlerësim, kritikë. Secila nga këto teknika kërkon vetëm një minutë, por përfitimet e tyre kanë rezultuar afatgjata.
Për mbi 20 vjet, qindra menaxherë kanë ndjekur teknikat e këtij libri, duke rritur produktivitetin.

“Të bëjmë përpara”
“Të bëjmë përpara” është një libër që hedh dritë mbi një sërë problematikash që lidhen me mungesën e udhëheqësve femra në qeveri dhe biznes, me mungesën e barazisë në shoqëri dhe familje si dhe me feminizmin.
“Të bëjmë përpara” është një libër për gratë që duan të arrijnë objektivat e tyre në profesione të ndryshme dhe për burrat që duan të kontribuojnë në një shoqëri më të barabartë.

Nelson Mandela – portret
Ky portret me foto dhe fjalë që shpalos jetën dhe kurajën e një individi të jashtëzakonshëm, jeta e të cilit ka aftësinë të na frymëzojë, të na prekë e të na motivojë. Me një format tërheqës dhe të thjeshtë, ky libër ka për qëllim të na prezantojë Nelson Mandelën nëpërmjet fjalëve të tij, imazheve goditëse të jetës dhe sendeve të tij personale, si edhe opinioneve të shumë të tjerëve, të marra nga burime të ndryshme.

“Biseda” – Jorge Lui Borges
Një përmbledhje me tridhjetë biseda të shkrimtarit të njohur argjentinas Jorge Lui Borges, të zbardhura nga intervistuesi i tij.
Tridhjetë bisedat e tij me Osvaldo Ferrarin për radion “Municipal” të Buenos Aires në vitin 1984 i ka zhvilluar pak përpara vdekjes dhe janë të fundit dëshmi që ka lënë. Këto biseda spontane dhe të lira, Ferraris i zbardhte dhe i botonte çdo javë në një gazetë të përditshme, për t’i mbledhur më vonë në një libër me vete.

“Mos bëj dëm”
Libri i duhur nëse punoni në sektorin e shëndetësisë. Bestselleri i neurokirurgut britanik Henry Marsh është një përmbledhje tregimesh mbi jetën, vdekjen dhe kirurgjinë e trurit. Ky libër u vjen në ndihmë pacientëve, por sidomos mjekëve, pasi shërben si një guidë e shkëlqyer në punën e tyre të përditshme

Çfarë mos të dhuroni

“Të njohësh vetveten”
Nuk ka rëndësi për çfarë flet libri. Ashtu si paraqitja e jashtme e një njeriu, titulli në kopertinë është i pari që godet. Dhe titulli “Të njohësh vetveten” nuk do të merret lehtë nga shefi juaj.

“Ha, ushqeu, rrezato”
Nëse shefja juaj është grua, kurrë mos i blini një libër me titull të tillë. Në rastin më të mirë, në mënyrë të tërthortë i tregoni se ç’duhet të bëjë e në rastin më të keq i thoni se është më e ngrysur se ç’duhet.

Libra fetarë dhe politikë
Dy nga çështjet më të ndjeshme: feja dhe politika. Është e sigurt që krijojnë debat në çdo tavolinë. Nëse nuk i njihnim mirë pikëpamjet politike dhe besimin fetar të personit që do t’ia dhuroni, më mirë shmangini!

Librat e Kadaresë
Mos të keqkuptohemi, arsyeja pse krijimtaria e Kadaresë është përfshirë në këtë listë është shumë e thjeshtë: ka shumë mundësi që shefi/ja juaj ta ketë çdo libër të Kadaresë që mendoni t’i dhuroni.

E. Qose