skip to Main Content

Dhembshuri në kohët e internetit

8-vjeçarja u lexon në Youtube fëmijëve të sëmurë rëndë

Në ditët e sotme, në internet gjen gjithçka. Nëse kërkon, në Youtube gjen nga filmat, serialet, manualet se si të bësh tualet apo si të rregullosh flokët, video humoristike, artistë që nëpërmjet shfaqjes së talentit të tyre kërkojnë ato 15 minutat e tyre të famës e gjithçka tjetër.

Por një fëmijë po e përdor këtë platformë për një qëllim të mirë. Një vajzë ka vendosur të lexojë libra në Youtube për fëmijët e sëmurë.

Ideja i lindi këtë vit, kur Shira Josephson, 8 vjeç, nisi trajnimin e saj si vullnetare  në spitalin e fëmijëve në Los Anxhelos. Ndërsa pa të gjithë pavijonet, njëri në veçanti i mbeti në mendje: pavijoni i fëmijëve në gjendje terminale, shumë të sëmurë për të lëvizur nga dhoma, madje edhe për të pritur vizitorë. Shira u ndje keq për këta fëmijë dhe aty për aty i lindi një ide për t’u lidhur me ta. Në këtë mënyrë lindi “Këndi i Shirës”.

“Këndi i Shirës” është një kanal në Youtube, që administrohet nga Shira nën kujdesin e nënës së saj dhe që tashmë përmban mbi 30 video të 8-vjeçares duke lexuar libra për fëmijë.

Përveçse argëtuese, videot janë edhe edukative dhe informuese. Në momentin që has një fjalë që nuk e njeh, Shira ndalon dhe e shkruan fjalën në një tabelë në mënyrë që të gjejë më vonë kuptimin e saj.

Që nga muaji maj, Shira ka postuar thuajse një video në javë dhe nuk ka ndërmend të ndalojë.

Siç ka shpjeguar vetë vajza e vogël, gjithçka që ajo dëshiron është që fëmijët e spitalit të Los Anxhelosit dhe tashmë të të gjithë botës të dinë se nuk janë vetëm.

E.Qose