skip to Main Content

Xhevahirët nga Paulo Coelho

 

Dikur një rabin jetonte i lumtur me familjen: një bashkëshorte të denjë dhe dy djem. Për shkak të punës, rabinit i duhej të udhëtonte dhe në një nga këto udhëtime larg shtëpisë, dy djemtë e tij fatkeq humbën jetën si pasojë e një aksidenti. E shoqja i qau fëmijët e vetme, por besimi në Zot e ndihmoi të ngrihej në këmbë. Megjithatë, nuk e mbante vendi derisa të kthehej i shoqi. Si do t’ia jepte lajmin e kobshëm? Edhe pse njeri i Zotit, ai kishte probleme shëndetësore dhe e shoqja frikej se dhimbja për djemtë do t’ia plaste zemrën.
Në pritje të të shoqit, ajo iu lut Zotit t’i jepte një zgjidhje. Ditën tjetër, rabini hyri në shtëpi, përqafoi të shoqen dhe kërkoi djemtë. E shoqja i tha që të çlodhej një herë e të bënte një banjë.
Pas disa orësh, burrë e grua u ulën të hanin. Ajo e pyeti për udhëtimin, ai i tregoi gjithçka kishte përjetuar dhe sërish pyeti për fëmijët.
E shoqja, e zënë ngushtë, u përgjigj:
– Më parë dua të më ndihmosh të zgjidh një hall që më ka rënë.
– Çfarë ka ndodhur?- ia behu i shoqi i shqetësuar. – Dukesh që je në siklet. Më thuaj gjithçka dhe, me ndihmën e Zotit, do t’ia dalim mbanë bashkë.
– Gjatë largimit tënd, një miku ynë na bujti për vizitë dhe më la për ruajtje dy xhevahirë. Janë kaq të bukur, të shtrenjtë. Nuk kam parë kurrë në jetë diçka më të magjishme. Ai i kërkon mbraopsht, por nuk jam gati t’ia kthej.
– Grua, nuk po të kuptoj! Vaniteti nuk të ka joshur kurrë.
– Por janë kaq të bukur! Nuk e pranoj dot t’i humb përgjithmonë.
– Grua e dashur, askush nuk mund të humbë çfarë nuk është e tij. Ne do t’i kthejmë, bashkë, që sot.
– Si të duash i dashur. Thesari do të kthehet. Në të vërtetë, është kthyer tashmë. Xhevahirët e shtrenjtë ishin djemtë tanë. Zoti na besoi ruajtjen e përkohshme të tyre dhe erdhi t’i merrte prapë. Ata kanë ikur.
Rabini përqafoi të shoqen e ashtu shtrënguar qanë.

Përktheu: Elona Qose