Librat që askush nuk i lexon më… për fat të keq!
Nuk e themi ne, e thonë studimet. Ndonjëherë lexojmë libra vetëm sepse i lexojnë të gjithë, herë të tjera sepse duhet, sepse vepra është kaq e padiskutueshme sa është logjike ta lexosh. Por ndonjëherë pikërisht arsyet e mësipërme bëjnë të kundërtën: pse duhet të lexoj diçka vetëm sepse të gjithë thonë se duhet? Klasikët janë të rëndësishëm për njëqind arsye që nuk po i rendisim në këtë shkrim, por mjafton vetëm një arsye për të mos i hapur kurrë ata. Disa studime në Britaninë e Madhe dhe SHBA kanë treguar disa nga librat që grupmosha 18-32 vjeç nuk i ka lexuar dhe nuk ka asnjë interes t’i lexojë.
Bashkë me erën – Margaret Mitchell
Hej, të gjithë e kemi parë filmin, kjo quhet apo jo? Filmi është kult, një nga ato raste të rralla kur filmi bëhet më i njohur se libri mbi të cilin është mbështetur. Të duket sikur nuk i shpëton dot, të paktën një herë në jetë do ta kesh parë Retin dhe Skarlet në ekranin e vogël. Mbase kjo është edhe arsyeja që të rinjtë nuk po e lexojnë më.
Uliksi – Xhejms Xhojsi
Uliksi nuk ka qenë ndonjëherë ndër librat më të lexuar. Për të qenë të sinqertë, më shumë është lexuar ndër studentët e letërsisë, si lexim i detyruar. Është pa diskutim një libër i rëndësishëm, pjesë e pothuajse të gjitha listave të librave më të mirë të të gjitha kohërave, një “Odise” e kohëve moderne, por a mjafton kjo për ta lexuar? Të rinjtë perëndimorë thonë jo.
Iliada dhe Odisea – Homeri
Nëse ka një gjë për të cilën pothuajse të gjithë bien dakord është që mitologjia greke është e magjishme. Nuk është rastësi që grekët ende përmendin lavdinë e dikurshme, nga e cila nuk është se kanë trashëguar gjë.
Të gjithë e njohim Akilin, Hektorin, Paridin, Helenën, Odisesë, Agamemnonin… qindra vepra janë shkruar për ta, dhjetëra filma janë xhiruar. Kaq shumë informacion kemi për këto figura sa duket sikur i njohim, por sa njerëz i kanë lexuar vërtet veprat e Homerit? Përgjigjja është: shumë pak!
Të mjerët – Viktor Hygo
Ky është vërtet zhgënjim. Si mund të mos lexosh “Të mjerët”?! Sigurisht, është një libër i gjatë dhe subjektin pak a shumë e dinë të gjithë? Por sërish: Si mund të mos lexosh “Të mjerët”?!
Elona Qose