skip to Main Content

Pse “1984” konsiderohet një kryevepër botërore

Eric Arthur Blair, emri i vërtetë i George Orwell (1903-1950), është i njohur si shkrimtar, eseist dhe gazetar britanik. “1984” është një ndër romanet e tij, e cilësuar si kryevepër botërore.

Bota e përshkruar në “1984” është ajo e tre subjekteve territoriale të qeverisura nga regjimet totalitare në kontrast me njëri-tjetrin: Oqeania, Eurasia dhe Estasia. Në Oqeani, dhe për të qenë të saktë, në një Londër ku mungon ndjenja e të bukurës, ku apartamentet janë të shkatërruara, suvaja bie nga muret, tubat shpërthejnë dhe çatia pikon, është në fuqi socializmi anglez, qeveri e drejtuar nga një parti, në krye të së cilës qëndron “Vëllai i Madh”. Sistemi politik e social ku gjithçka që ndodh është në formë piramidale dhe në majë qëndrojnë disa të pasur që drejtojnë jetën e miliona të nënshtruarve të varfër.

“Vëllai i Madh”, sistem piramidal, përbëhet nga një grup i vogël njerëzish për të cilët askush nuk di asgjë, është një entitet që askush s’e ka parë, veçse në imazhet e manifesteve që ndodhen kudo në qytet, ku dallohet qartë fraza: “Vëllai i Madh të vëzhgon”. “Vëllai i Madh” vepron nëpërmjet aparaturave televizive, duke kontrolluar të gjithë qytetarët, të cilët nëse kapen në situata kundër parimeve të qeverisjes ndëshkohen rreptësisht. Psikopolicia, e pranishme atje ku ka rebelim, është gjithnjë gati për të ndërhyrë dhe për t’u përballur me sjelljet e cilësuara si të dyshuara. Në veçanti, psikopolicia lufton aktivitetin e bashkësive vëllazërore, të cilësuara si qymyr kundër propagandës së “Vëllait të Madh”. Nëse spiuni është një fëmijë, ai konsiderohet më shumë se një hero. Fëmijët janë në gjendje edhe të denoncojnë prindërit e tyre. Një ndër lojërat e tyre të preferuara është të sodisin ekzekutimet me varje të tradhtarëve.

Telekamerat e “Vëllait të Madh” propagandojnë 24 orë në 24 dhe mbikëqyrin ngado njerëzit; nga banesat te vendi i punës, në rrugë dhe kudo ku ka mundësi të spiunojnë dhe kontrollojnë qytetarët. Edhe sjelljet dashurore dhe afrimiteti në çift janë të ndaluara, vetëm në rast riprodhimi. Gjithçka është nën vëzhgim nga “Vëllai i Madh”, vetëm truri mund të arrijë, nëse mundet, çaste lirie. Librat e padëshiruar zhduken dhe e kaluara shkatërrohet, sepse nuk duhet të ekzistojë.

Romani “1984” përbëhet nga tre segmente. Në të parin, Winston Smith, i cili punon në Ministrinë e të Vërtetës, ku korrekton dhe shkruan pjesë propagandiste dhe udhëzohet për gjuhën si instrument i propagandës, arrin të kuptojë se nuk ndihet më pjesë e sistemit të “Vëllait të Madh”. Këtë e kupton duke zbuluar shkrimin si akt revolucionar dhe çlirues, duke hedhur mendimet në ditarin e tij. Në pjesën e dytë, lexuesi përballet me historinë e dashurisë që lind mes Winston Smith dhe Julias. Ndërsa në të fundit shpalosen torturat fizike dhe psikologjike ndaj dy të dashuruarve.

“1984” cilësohet si një kryevepër e letërsisë botërore, sepse paraprin dhe përshkruan ato forma të reja demokratike perëndimore të qeverisë, që jo lehtë dallohen si joperfekte. Demokraci të supozuara që nuk ekzistojnë dhe funksionojnë si sisteme të vërteta oligarke të ëmbla.

Është e lehtë ta gjesh veten si një parafrazim për të përshkruar atë që ndodhi dhe që ndodh edhe sot në shumë shtete dhe që i përcakton këto forma demokracie si një lloj kurthi të madh. E në fakt, demokracia perëndimore është në duart e pak personave dhe në karriget e tyre. Fatkeqësisht, pabarazia ka një rol të rëndësishëm mbi bazën e të cilës formohet demokracia e privilegjeve dhe e të privilegjuarve; pabarazia në disa nivele, që krijohet mbi korrupsionin e principeve dhe vlerave morale të historisë së një populli. Për të ruajtur këtë lloj sistemi i mbajnë qytetarët brenda një laboratori të madh dhe i bëjnë të jetojnë si në një Matrix gjigant, ku masmedia dhe “Vëllai i Madh” orientojnë direktivat derisa kurthi i madh ruhet në vazhdimësi. Na thonë ç’të bëjmë, mendojmë, hamë, pimë, na vënë kundër njëri-tjetrit, na mbajnë injorantë, na çojnë në drejtimin që ata orientojnë. Na mbushin me ndjenja derisa nuk ndjen më dhe mësohesh me gjithçka, mësohesh me mungesën e nevojës për të ndjerë që kemi nevojë për një mënyrë tjetër jetese, më të lehtë, më të pastër.

Këto janë parafrazat dhe reflektimet që lindin kur lexon “1984” të Orwell, një roman kryevepër, i cili flet për rimarrjen e qenies dhe hapësirave tona derisa mos të dorëzohemi, nga pengesa dhe ndalimi, njësoj si Winston e Julia, por që të shprehemi me autenticitet njerëzor dhe të frytshëm.

Elona Qose