skip to Main Content

Më thuaj çfarë ha të të them çfarë lexon

Në web sot gjen shkrime gjithfarësh. Shumë janë informues dhe edukativë; të tjerë të bazuar në përfundime të mirëfillta shkencore e të tjerë akoma mund të jenë thjesht argëtues. Pikërisht kjo e fundit është arsyeja pse vendosa ta sillja këtë shkrim te ju. Mbase diku, dikush ka bërë studime mbi përfundimet e këtij shkrimi, mbase jo. Po ç’rëndësi ka! Është fillim jave. Ta nisim me pozitivitet, ngjyra dhe shije.

Pica
Njerëzit që pëlqejnë picat janë shumë socialë dhe të këndshëm. Gjithmonë në lëvizje, nuk rrinë dot vetëm. Pikërisht për shkak të ritmit të jetesës, këta njerëz preferojnë më shumë historitë e shkurtra. Ata lexojnë më së shumti romanca, libra që lexohen shumë shpejt.

Sushi
Njerëzit që pëlqejnë sushin janë të sofistikuar. Pëlqejnë udhëtimet dhe të zbulojnë kultura dhe zakone të reja. Janë pasionantë dhe duan të kalojnë kohë me njerëzit e afërt. Kanë dobësi kulturën orientale dhe poezinë romantike. Për këta njerëz rekomandojmë letërsinë e Haruki Murakamit.

Ëmbëlsirat
Ata që adhurojnë ëmbëlsirat janë njerëz emotivë dhe ëndërrimtarë. Romanet me histori të mëdha dashurie janë të preferuesit e tyre. Pak dramë brenda është gjithmonë gjë e mirë. Libri perfekt për ta? “Krenari dhe paragjykim”.

Perimet
Njerëzit që konsumojnë shumë perime janë mendimtarë, e adhurojnë natyrën dhe mediditimin. Udhërrëfimet, librat gjeografikë janë shumë të përshtatshëm për ta. Po ashtu i tërheqin shumë librat triller, sidomos ata që përshkruajnë me detaje realitetin. “Në rrugë” nga Jack Kerouac është libër perfekt për ta.
E. Qose