skip to Main Content

Tipat e lexuesve të padurueshëm, me të cilët mund të flisni për gjithçka, përveç librave

Të gjithë e duan një libër të mirë dhe, edhe pse leximi është një proces personal, të gjithëve na pëlqen të ndajmë mendimet mbi vepra të veçanta.

Por duke jetuar në një shoqëri ku të gjithë kanë nga një opinion për çdo gjë, ka disa tipa lexuesish që nuk përballohen.

  1. Klasiku

Këta janë lexuesit të cilët betohen se pas shekullit të 19-të nuk ka më letërsi. Ata kanë lexuar çdo gjë nga Shekspiri, Dikensi, Tolstoi, Dostojevski, Balzaku… Shumë nostalgjikë? Mbase. Por ata janë të bindur se letërsia e shkruar pas shekullit të 19-të nuk është art. Me sa duket, për ta Folkner, Fitzgerald, Hemingueji, Markez…  nuk kanë ekzistuar ndonjëherë.

Mbase ngecja te klasikët i ka bërë këta lexues atë që në fakt supozohet ta bëjë fiksioni: i ka bërë phjesë të historisë.

 2.I diplomuari

Shumë mendojnë se të studiosh për letërsi është thjesht qejf, sikur paguan për t’u bërë lexues profesionist. Nuk është tamam kështu. Dhe mbi të gjitha diploma e shkollës së lartë nuk thotë: “Je mjeshtër rreth gjithçkaje që ka lidhje me letërsinë. Ti je më i miri. Sa herë të kesh mundësi, përplasja në fytyrë diplomën kujtdo që të kundërshton”.

Njerëzit që besojnë sa më sipër hyjnë te tipi i dytë i lexuesve. Sigurisht që janë të lexuar; libra që të tjerë nuk kanë menduar kurrë t’i lexojnë ata i kanë pasur lexim të detyruar. Por kjo nuk do të thotë që në çdo diskutim të përdorin kartën e diplomës. Tek e fundit letërsia është subjektive: çfarë është e mirë për mua, bën të kundërtën për ty.

  1. Tipi i bestsellerave

Për këta lexues, “Muzgu” është një ndër librat më të mirë në historinë e letërsisë. Po kështu edhe “Pesëdhjetë hijet e Greit”. Lexojë gjithçka që është trend. Nëse nuk ka shitur të paktën 10 milionë kopje, për ta një libër nuk vlen. Këta janë lexuesit konsumatorë. Të gjithëve na pëlqen të lexojmë libra të lehtë dhe argëtues, por nëse t’i më imponohesh me “librat më të mirë në botë që unë duhet t’i lexoj patjetër”, ta dish që po bën të kundërtën.

4.Tipi “kam lexuar gjithçka”

Këta tipa janë vërtet të padurueshëm. Çdo bisedë që nis me për një libër vijon me shprehjen e tyre: “Po, e kam lexuar atë”. Që të jemi të drejtë, janë të lexuar, megjithatë shpesh e ekzagjerojnë. Në fakt, këta tipa ose lexojnë vetëm kopertinat dhe përmbledhjet mbi librat ose lexojnë vërtet shumë, por në fakt nuk lexojnë.

Me këtë të fundit dua të them se ata nuk e shijojnë leximin, nuk thellohen në atë çfarë lexojnë. Kjo është arsyeja që shpesh nuk mbajnë mend detaje nga librat. Ata lexojnë sepse duhet. Dhe sepse pjesa e preferuar për ta është kur u thonë të tjerëve se sa shumë kanë lexuar.

 5.Tipi i filmave të bazuar në libra

Unë i adhuroj filmat dhe gjithmonë jam kurioze mbi ekranizimet e librave. Por shikimi i filmit nuk është justifikim për të lexuar librin. Filmat nuk i zëvendësojnë dot librat. Ose të paktën kështu them unë.

Njerëzit që shohin vetëm filmat në fakt nuk duhej të ishin në një kategori më vete në këtë shkrim, sepse ata shohin, nuk lexojnë. Problemi është se shumë prej tyre pretendojnë se kanë lexuar librin kur në fakt kanë parë vetëm filmin. Pikërisht për këtë janë acarues. Të pëlqejnë më shumë filmat? Shumë mirë! Por të lutem mos më thuaj se një libër i caktuar nuk të ka lënë shumë mbresa… sepse këtë ndjesi të ka lënë filmi.

Elona Qose