skip to Main Content

Unë zgjedh librin…

Letërsia në kohën e internetit

Një ditë lexova një libër dhe jeta ime ndryshoi – ka thënë Orhan Pamuk.

Ende nuk kam lexuar një gjë të tillë për rrjetet sociale. E megjithatë në kohët e sotme, veçanërisht të rinjtë kalojnë shumë më tepër kohë në Facebook, Twitter e Instagram. Arsyet janë të shumta dhe nuk janë subjekt i shkrimit. Ajo çfarë dua të them është se koha e kaluar mesatarisht nga të rinjtë në rrjetet sociale në një vit është e mjaftueshme për leximin e më shumë se 200 librave. Është tërësisht e vërtetë, këtë rezultat kanë arritur një studimesh të fundit.

Të kuptohemi, nuk po ju themi të shkëputeni tërësisht nga rrjetet sociale, thjesht të reduktoni kohën e përdorimit të tyre.

Librat të japin dije, u japin përgjigje pyetjeve më të vështira jetësore në mënyrën më të lehtë dhe të paimagjinueshme; librat të inkurajojnë të udhëtosh, të njohësh vende dhe kultura të reja. Librat të japin modele për t’u ndjekur, të njohin me heronj dhe me kuptimin e jetës.
Të gjithë mund të lexojnë, ta zëmë, 100 libra në vit, duke përgjysmuar kohën e kaluar duke parë fotografi në Instagram.

 

Mos hiqni dorë që para se të nisni!

 
Zakonisht ne i mbushim mendjen vetes se nuk kemi kohë për të lexuar, se kemi gjëra të tjera për të bërë apo se thjesht librat “nuk janë për ne”. E rëndësishme është të bësh të kundërtën: t’i mbushësh mendjen vetes se ti ke kohë, se nuk ke gjëra më të rëndësishme sesa të marrësh dije dhe se “librat janë fiks për ty”.

Justifikimi se nuk keni kohë nuk është i vërtetë. Pa a mendoni pak, sa kohë në ditë kaloni në rrjetet sociale? Po përpara televizorit? Provoni që një pjesë të kësaj kohe ta zini duke lexuar; është më dobiprurëse dhe shpejt do të kuptoni se është edhe argëtuese.
Ne kemi kohë, por pjesa e vështirë është të dish të bësh atë që është më e rëndësishme.
Mediat të krijojnë varësi. Të heqësh dorë nga rrjetet sociale është si të heqësh dorë nga drogat.
Nëse do vërtet të lexosh sigurohu të mos kesh shpërqendrime.

Një ditë lexova një libër dhe jeta ime ndryshoi – ka thënë Orhan Pamuk.

Provojeni një herë. Mund të gjeni shumë më tepër sesa kërkoni.

Elona Qose