skip to Main Content

Letra e Xhojsit 18-vjeçar për heroin e tij, Henrik Ibsen: Gjërat më të shtrenjta i mbajmë gjithnjë për vete

Mos i tako kurrë idhujt e tu, – thonë. Por kjo nuk do të thotë që mos t’u shkruash atyre. Mjaft të kujtojmë njerëzit që kanë frymëzuar e ndikuar drejtpërdrejt në krijimtarinë e ikonave të letërsisë për të kuptuar se sa mund të ndikohet vepra e një shkrimtari sikur edhe nga një fjalë e vetme nga heroi i tij.
Kush do të ishte Herman Hesse pa letrat e Thomas Man? Do t’ia dilte vallë Bukovski të dilte nga zyra e postës dhe t’i përkushtohej shkrimit?
Heroi i Xhejms Xhojsit ishte Henrik Ibsen. Puna e parë letrare e Xhojsit ishte një vlerësim kritik për një nga veprat e Ibsenit. Në atë kohë, Xhojsi ishte vetëm 18 vjeç. Ibsenit, i rënduar nga ana shëndetësore, i pëlqeu kaq shumë ai shkrim sa i përcolli të riut Xhojs falënderimet dhe vlerësimin e tij.
Një vit më vonë, në 1901-shin, Xhojsi mori kurajën t’i shkruante heroit të tij:
“Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se sa më preku mesazhi juaj. Unë jam i ri, shumë i ri dhe mbase nervozizmi, që me siguri më lexohet ndër rreshta, ju vë buzën në gaz. Por nëse ktheheni pas në kohë, kur edhe ju ishit në moshën time, dhe nëse mendoni se çfarë do të thoshte për ju të merrnit një fjalë vlerësimi nga personi që ju vlerësonit më së shumti, do ta kuptoni se si ndihem.
Gjërat më të shtrenjta ne gjithmonë i mbajmë për vete. Kështu edhe unë, në çdo debat publik ku flas për ju, nuk tregoj se si keni ndikuar ju te personi që jam sot. Nuk them se si betejat tuaja më kanë frymëzuar, se si vullneti juaj më ka dhënë zemër, se si në indiferencë të plotë ndaj kanonit të artit, ju ndoqët rrugën tuaj.
Si një i ri me të cilin zgjodhët të flisni, ju përshëndes – jo me përulësi sepse unë jam krejt i panjohur, jo me trishtim sepse ju jeni i moshuar dhe unë i ri, jo me mendjemadhësi, por plot gëzim, me shpresë e dashuri, ju përshëndes!
Xhejms Xhojs”.

Përgatiti: Elona Qose