skip to Main Content

Kafe apo çaj? Në botën e Dikensit mund të jetë një zgjedhje mes të mirës dhe të keqes

Karakteret ekscentrike, engjëllore, të këqij e mashtrues të librave të Çarls Dikensit e ftojnë shpesh njëri-tjetrin për çaj. Jo të gjithë pinë çaj. Ka edhe disa që pëlqejnë kafenë.
Do të mendohej si një preferencë e padëmshme. Por, jo!
Studiuesja alimentare britanike Pen Vogler ka një teori të çuditshme, por interesante, lidhur me fibrat morale të karaktereve të ndryshme të autorit viktorian bazuar në atë që pinë. Sipas saj, djemtë e mirë preferojnë çajin, ndërsa ata më të dyshimtë preferojnë kafenë.
Në librin e saj të ri “Darkë me Dikensin”, Vogler kombinon pasionin e saj të dyfishtë për ushqimin anglez dhe Çarls Dikensin, për të rikrijuar 60 receta viktoriane që shfaqen në romanet ose në jetën e tij.
Recetat shoqërohen nga ese letrare mbi mënyrën se si Dikensi, i cili përjetoi urinë dhe varfërinë kur u dërgua për të punuar në një fabrikë këpucësh në moshën 12-vjeçare, e përdorte ushqimin jo vetëm për efekt ndijor dhe dramatik, por dhe për të ofruar njohuri të rëndësishme në karakter individual dhe vë në dukje hipokrizinë sociale.
Dhe ndërsa studionte këtë lidhje interesante dikensiane midis ushqimit dhe moralit, Vogler doli me teorinë: çaji-i mirë, kafeja-e keqe.
Çaji ishte më shumë një ritual femëror. Ndërsa pirja e kafesë dukej si më energjike dhe më e fuqishme, ndoshta edhe prej kafeinës, por edhe lidhjes me kafenetë e shekullit të 19-të, ku burrat mblidheshin për të folur për politikë.
Kafeja sjell gjithashtu në mendje pasazhin e zymtë dhe të ligë nga “David Koperfildi”. David fton Hepin për një kafe, me synimin e një takimi pak a shumë viril, por që Hepi e nënvlerëson në çdo hap. Kënaqësia e shtirur që David po i shërben e transformon gjestin mikpritës të David në diçka servile dhe të dobët. Hepi mban filxhanin mes gishtave dhe më pas me përulësi kërkon që t’i shërbehet më tepër kafe.
Në “A Tale of Two Cities”, i ambientuar në periudhën e Revolucionit Francez, Vogler vë në dukje skenën e ftohtë në të cilën markezi pi kafe ndërsa bisedon me tone të forta me nipin e tij. Me fytyrën e zbehtë dhe flegrat e hundës lehtësisht të zmadhuara, markezi është studimi i një mizorie sadiste.
Lidhur me ata që preferojnë çajin, nuk ka shembull më interesant sesa skena te “The Old Curiosity Shop”, ku shërbyesja e vogël e uritur dhe e keqtrajtuar, një prej portreteve më sentimentale të Dikensit, kujdeset për Dik Suivelerin. Ajo i puth duart, i shërben për mëngjes, një pasqyrë e skenës ku Dik në fillim ndjen mëshirë për vajzën dhe më pas i blen mishin dhe birrën. Sipas Vogler, ata janë një çift i çuditshëm, që në një farë mënyre i ofrojnë njëri-tjetrit ushqim e dashuri, si një lloj dashurie amësore, atësore dhe romantike, por që nuk përshtatet në asnjë kategori.
Si për të bërë një bilanc, shumica e personazheve të Dikensit pinë çaj. “Është një moment i rregullt dhe i mirëpritur për jetën e tyre të përditshme, gjë që sugjeron se ishte edhe në të tijën”, – thotë Vogler. Pas uljes së taksës së çajit në vitin 1784, konsumi i kësaj pijeje u rrit dhe shumë shpejt u bë një produkt i përdorur nga të gjitha klasat.
“Për shkak të karaktereve të klasës punëtore të Dikensit, çaji ishte një vakt i ngrohtë, ndërsa kafja nxirrte sugjerime për finesë dhe mizori”.
Ose ndoshta fjala “kafe” ishte një kujtim jo fort i këndshëm nga fëmijëria e Dikensit, nga periudha kur punonte në fabrikën e këpucëve.

Elona Qose