skip to Main Content

Mes njerëzve dhe librave…

Fjalët janë më të mira se njerëzit

Nëse vera është koha e argëtimit dhe aventurave, dimri zakonisht është një periudhë kur njerëzit ndihen më në ankth dhe në padurim për të gjetur shpirtin binjak. E megjithatë ka një grup njerëzish që edhe në zymtësinë dhe grinë e pashmangshme të këtyre muajve preferojnë më shumë të mbajnë në shtrat një … libër… sepse sipas tyre fjalët janë më të mira se njerëzit.

Nuk po mbajmë asnjë qëndrim, çdo gjë/njeri/pasion ka dhe duhet të ketë vendin e vet, por ndonjëherë jeta nuk vjen ashtu siç e duam; ndonjëherë thjesht atë që na nevojitet shpirtërisht dhe mendërisht nuk e gjejmë te njerëzit. Nuk ka asgjë të gabuar te kjo, librat janë të mrekullueshëm, për sa kohë nuk e izolojmë veten në një rreth asocial.

Ka një mënyrë për t’i bërë të gjitha, për t’i vënë këto nevoja në shërbim të njëra-tjetrës. Çfarë duam të themi me këtë? Nëse jeni vetëm dhe po kuptoni se po kaloni më shumë kohë me një libër në dorë sesa me një partner përkrah, nuk është nevoja  të hiqni dorë nga asnjë, ndiqni këshillat më poshtë:

 

1.Mos shkoni në librari/biblioteka vetëm për të blerë/lexuar libra, shkoni edhe për të njohur njerëz të rinj. Mendoni pak, në një vend ku ju shkoni me kënaqësi mund të njihni një njeri që ndan të njëjtat pasione me ju. Një gjë është e sigurt, takimet tuaja të para do të jenë shumë interesante

 

2.Mos lexoni vetëm në shtëpi. Dilni në park ose edhe në një kafene. Ndërsa shijoni kafenë dhe lexoni mes rreshtash, herë pas here ngrini sytë për të parë përreth. Dhe nëse shikimi ju ngelet diku, mos e fshihni buzëqeshjen pas kopertinës së librit.

 

3.Një njeri që tërhiqet nga njerëzit dhe zhytet në realitetet e trilluara të letërsisë zakonisht ka edhe një arsye më të fortë sesa thjesht pasioni për të lexuar. Edhe pse pak e pranojnë, shumë kanë frikë nga refuzimi dhe një gjë është e sigurt: asnjë libër nuk do ta refuzojë.

 Mos u dekurajoni, të gjithëve, të paktën një herë në jetë, na ka refuzuar dikush. Nuk është fundi i botës. Dikur, diku, në një kënd, është gjithmonë dikush, të cilit ashtu si juve, në një moment të caktuar, fjala mund t’i duket më e mirë se njerëzit, por që do të kuptojë se fjalën e bëjnë njerëzit.

Elona Qose