skip to Main Content

Spastrimi i librave, po apo jo?


Një nga arsyet pse njerëzit ende zgjedhin më shumë librin fizik përballë atij elektronik është zgjerimi i bibliotekës personale. Ne që e pëlqejmë leximin asnjëherë nuk e pranojmë se e shohim atë shpesh si aksesor, edhe pse të paktën dy herë në vit rregullojmë raftet në varësi të ambientit ku kemi zgjedhur t’i mbajmë. Të jemi të sinqertë, nuk zgjidhni edhe ju gjithmonë kopertinat më të reja, më të bukura, në hapësirat më të dukshme? Të gjithë e bëjmë e kështu, edhe në mënyrë të pandërgjegjshme, i përdorim librat si aksesorë zbukurimi.
E bëra këtë hyrje që mos të tronditeni nga ajo që do të shtoj.
Po hyjmë në atë që quhet sezoni i spastrimit: rroba të vjetra, këpucë që na vrasin, çanta të dala mode, bizhu që nuk i vëmë kurrë: një herë në vit të gjithë reduktojmë gardërobën, duke i dhënë dollapit frymë. Është mirë të japësh, një gjë që s’të vlen më i hyn shumë në punë dikujt tjetër.
Pyetja ime është: A mund ta bëjmë një gjë të tillë edhe me librat? Sigurisht, gjithmonë kemi ricikluar librat shkollorë, por për librat artistikë nuk e kam dëgjuar kurrë. Prej vitesh funksionon tregu i librave të përdorur, por nga çfarë kam pyetur njerëzit që i shesin këta libra e bëjnë më shumë të shtyrë nga nevoja sesa nga fakti që nuk i lexojnë.
Unë për vete nuk e kisha menduar kurrë. Heqja qafe e artikujve që nuk i përdor më nuk kishte shkuar kurrë deri te librat. Por dje po lexoja një artikull të tillë në një faqe interneti, ku jepeshin edhe këshilla dhe arsyet se pse duhet t’i japim librat.
Duke e lexuar artikullin kuptoja që më shumë dakordohesha me ato që thuheshin në të. A nuk kemi të gjithë ndonjë libër të bërë dhuratë ose të blerë nxitur nga kurioziteti, por që nuk e kemi lexuar dot përtej tri faqeve të para? Po! Mendimi im për librat është: nise tri herë, në periudha të ndryshme, mundësisht në dekada të ndryshme, nëse ke të njëjtën ndjesi nuk ke për ta lexuar dot kurrë. E njëjta gjë me librat që i ke lexuar dikur, mbase sepse keni qenë të detyruar, por betoheni se nuk do t’i hapni kurrë më. Megjithatë sërish këta libra rrinë aty, në rafte, duke i dhënë ngjyrë dhomës. Nuk lexohen, por janë aty. Atëherë a nuk humbin nga ai qëllimi i parë që ka libri?
Që të kuptohemi, nuk po mbaj asnjë qëndrim. Për veten time, nuk e di nëse do ta bëj një gjë të tillë, edhe pse në raftet e mia ka libra të dhuruar nëpër aktivitete promovimi të cilët nuk i kam lexuar. Do ta mendoj… mbase…
Nuk e di për ju, shihni e bëni dhe na jepni ndonjë mendim edhe neve. Javë të mbarë!
Elona Qose