skip to Main Content

Të uroj mjaftueshëm

Pak kohë më parë, në aeroport, ndërsa prisja orarin e imbarkimit, më kapi veshi përshëndetjen e dy njerëzve. Atë e bijë, të përqafuar, po bëheshin gati të ndaheshin, kur babai i tha të bijës: “Të dua shumë! Të uroj mjaftueshëm!”.
Kaq! Të uroj mjaftueshëm! Nuk e kisha dëgjuar kurrë një gjë të tillë.
Pak momente më vonë, qëlloi që në avion të isha ulur pranë këtij babai. Me gjithë përpjekjen për të mos u treguar i pasjellshëm, nuk durova dot dhe i tregova që e kisha dëgjuar në aeroport ndërsa ndahej me bijën e tij:
– Mund t’ju pyes: Çfarë do të thotë ai urim?- e pyeta.
Burri pranë meje buzëqeshi.
– Është një urim që e kemi përcjellë ndër breza, – më tha.
– Prindërit e mia e thoshin gjithmonë, për këdo.
Ndaloi për pak, pastaj u kthye nga unë, më buzëqeshi dhe më uroi:
-Të uroj mjaftueshëm diell që të të ndriçojë shpirtin sado gri të të duket dita.
-Të uroj mjaftueshëm shi që ta vlerësosh diellin akoma më tepër.
-Të uroj mjaftueshëm lumturi që të të mbajë gjallë.
-Të uroj mjaftueshëm dhimbje që edhe kënaqësitë më të vogla në jetë të të duket të mëdha.
-Të uroj mjaftueshëm arritje që të kënaqësh ambicien tënde.
-Të uroj mjaftueshëm humbje që të vlerësosh gjithçka që ke arritur.

(Marrë nga blogu i Paulo Coelho-s)

Përktheu: Elona Qose