Çfarë e shtyn një lexues të blejë libra dhe ku i blen ata?
Çfarë i shtyn lexuesit të blejnë një libër? Është emri i autorit, subjekti, zhanri apo thjesht marketingu? Të gjithë nxitemi nga faktorë të ndryshëm kur zgjedhim të shpenzojmë për një libër, faktorë që ndryshojnë në kohë. Në një studim të bërë së fundmi në disa vende europiane rezultoi se pjesa më e madhe e njerëzve nxiteshin nga subjekti, nga interesi që u ngjall ose jo ngjarja e trajtuar në libër. Më pas vinin fansat besnikë, ata që i blejnë librat nisur nga emrat e autorëve. Për këtë kategori nuk ka rëndësi se çfarë thotë kritika, nuk ka rëndësi se cilit zhanër i përket libri që blejnë, për sa kohë në kopertinë është emri i autorit të tyre të preferuar.
Faktorë të tjerë në zgjedhjen e librave janë këshillat/rekomandimet nga miqtë e të afërmit, nga mediat sociale dhe nga profesionistët e librit.
Ku i blejmë librat
Vitet e fundit, zgjedhja e parë e njerëzve është blerja online. Në vendet e Europës Perëndimore, ku është realizuar edhe studimi, platforma Amazon mban vendin e parë për blerjen e librave. Edhe në vendin tonë, platforma si Botimeshqip.com dhe të tjera homologe kanë ngritur tashmë një standard të ri në blerjet online.
Përdorimi i platformave të tilla ka një sërë përparësish, nga kursimi i kohës, te thjeshtësia në zgjedhje. Në Botimeshqip.com keni mundësi të kërkoni vetë, pa ndërmjetës, të gjithë librat e rinj, të mësoni mbi ata që janë më të kërkuarit në treg si dhe të kërkoni mbi libra të autorë të caktuar.
Megjithatë, libraritë nuk e kanë humbur magjinë e tyre, pasi shumë njerëz ende preferojnë të lëvizin mes rafteve (kur hapësira fizike ta lejon, sidomos në vendin tonë) dhe të zgjedhin titujt që duan.
Cilado qoftë arsyeja që ju shtyn të blini një libër, cilido qoftë vendi që zgjidhni për ta blerë atë, e rëndësishme është që të mos humbë interesi.
Fundjavë të mbarë dhe mos harroni të na lexoni! Si çdo herë, te ne do të gjeni gjëra interesante.
Elona Qose