skip to Main Content

“Nuk kam kohë… as interes… të lexoj”

Një kolege para disa ditësh më kërkonte t’i rekomandoja disa tituj librash për dhuratë. Ndërsa zgjidhnim mes morisë së librave për atë më të përshtatshmin për personin në fjalë, mikja ime më tha se këtë vit nuk kishte lexuar asgjë. Për të qenë e sinqertë, shtoi, edhe vitin e kaluar te vetmet gjërat që lexova ishin librat e kalamajve dhe … statuset e Facebook-ut. Nuk ka asgjë për t’u ndjerë keq, të gjithëve na ndodh të kemi një periudhë shumë të ngarkuar dhe koha që sakrifikojmë është ajo ndaj vetes. Me punën, shtëpinë, fëmijët, koha për të parë një film apo për të lexuar vetë një libër rrudhet çdo ditë e shumë. Në vorbullën e punëve të tjera, ai që shkon i fundit në listë është libri. Pastaj të rrëmben rutina. Sa herë i premton vetes se do të fillosh të lexosh më shumë, se atë librin që po i bëhet shumë reklamë do ta marrësh patjetër, se atë klasikun që nuk e përfundove dot kurrë kur e kishe lexim të detyrueshëm do të provosh ta lexosh vite më pas.
Për të dalë nga kjo rutinë është shumë e rëndësishme të zgjedhësh librin e duhur. Që do të thotë, atë klasikun që nuk e përfundove dot kurrë kur ishe në shkollë mund ta lësh edhe ca kohë në raft. Në raste të tilla, kur keni kohë që nuk lexoni, kur jeni kaq të lodhura sa me siguri nuk do të kaloni më shumë se 5 faqe, zgjidhni diçka të lehtë, por të shkuar bukur. Jo librave shumë limonadë: ato i keni në seriale e telenovela. Po trillerave: ata të nxisin kureshtjen. Librat e renditur më poshtë janë tërësisht subjektivë: libra që mua ndër vite më kanë pëlqyer dhe që mendoj se janë një hap i mirë drejt rikthimit të interesit ndaj leximit.

Aventurat e Hakëlbërri Finit
Vërtet thashë jo klasikët, por ky libër bën përjashtim. Aventurat e Hakëlbërri Finit” është gjithçka përveçse i mërzitshëm.

Vajza në tren – Paula Hawkins
Nuk do të duash ta lëshosh nga dora. Gjatë gjithë librit e ke të vështirë nëse do t’i besosh Rejçëllit të alkoolizuar apo jo. Kur një krim ndodh në lagjen e vjetër të saj, të gjithë duken si të dyshuar.

A të kam folur ndonjëherë për erën e veriut?
Ky është pa dyshim interesant, tërheqës dhe në përshtatje me kohën. Një roman dashurie në epokën e internetit: një email i dërguar në një adresë të gabuar, një përgjigje kortezie… dhe dalëngadalë mes dy personazheve kryesore krijohet një raport që nis si një lojë dhe forcohet pas çdo email-i duke u shndërruar në një pasion të furishëm. Një nga dialogët më tërheqës të dashurisë në letërsinë e sotme.

Tre shokë – Remark
Një himn kushtuar miqësisë pa asnjë lloj interesi dhe në të njëjtën kohë një nga historitë më të bukura të dashurisë. Patris dhe Robi do të bëhen personazhet tuaj të preferuar.

Burra që urrejnë gratë – Stieg Larsson
Historia e kobshme e një familjeje, e mbushur me urrejtje e grindje familjare. Një gazetar i njohur dhe një pirate kompjuterash do të zhbirilojnë në të kaluarën e kësaj familjeje në përpjekje të zbulimit të një krimi. Askush nuk i kishte përgatitur për atë që do të zbulonin.

Ne jemi pafundësi – Stephen Chbosky
Trauma dhe tragjeditë janë pjesë e rritjes së njeriut dhe personazhit kryesor të librit, Çarlit, i duhet ta mësojë këtë gjë. Romani i Chbosky-s na fut në botën e gjimnazistëve, duke adresuar çështje të rëndësishme, si seksualiteti, miqësia, vetë jeta.

“Ai që nuk dinte të dashuronte”
Është frymëzuar nga jeta e multimilionerit Howard Hughes. Xhonas Kordi, një cinik me shpirt të trazuar, që trashëgon një perandori financiare, kërkon dashurinë e vërtetë. Një libër i gjatë, por që do t’ju rrëmbejë..

Elona Qose