skip to Main Content

Pro librave elektronikë për të shpëtuar planetin

Për pyetjen libra fizikë apo elektronikë, përgjigjja gjithomonë ka anuar nga të parët. Teknologjia sot luan një rol të rëndësishëm në jetën tonë. Një pjesë e mirë e shërbimeve tashmë janë dixhitalizuar duke na lehtësuar jetën. E megjithatë ka ende disa gjëra që njerëzit përpiqen t’i ruajnë fort. Qoftë nostalgjia, qoftë frika nga një e ardhme tërësisht dixhitale, e vërteta është se ende ka njerëz që nuk heqin dorë nga tradicionalja.
Prej vitesh diskutohet mbi përparësitë e librit elektronik. Të rinjtë e kanë përqafuar më lehtë, për të tjerët libri fizik nuk do ta humbasë kurrë vlerën. E ndërsa në shkrimet e shumta që bëhen për këtë çështje, gjithmonë gjenden arsye (të vlefshme) pse libri fizik është zgjedhja e duhur, në këtë shkrim do t’ju njohim një nga përparësitë e librit elektronik nisur nga një këndvështrim pak i veçantë: mbrojtja e planetit.
Ngrohja globale është realitet. Ndryshimet e dukshme klimatike nga viti në vit nuk lënë vend për dyshime. Për mbrojtjen e planetit nevojiten politika afatgjata, megjithatë të gjithë mund të bëjmë nga pak. Dhe mes qindra mënyrave për t’u kujdesur për mjedisin, përdorimi i librit elektronik ul ndotjen nga dioksidi i karbonit dhe mbi të gjitha shpëton pyjet.

Çdo ditë jemi të rrethuar nga kaq shumë libra fizikë, revista e gazeta sa është e lehtë të harrojmë mbi dëmin që i bëjmë mjedisit. Sigurisht, një njeri apo dhjetë, apo njëqind nuk bëjnë ndonjë ndryshim të ndjeshëm, por gjithsesi është më mirë se asgjë.
Megjithatë, çdo gjë është personale. Zgjedhja, edhe në këtë rast, është po ashtu personale.
Librat do të vijojnë të shtypen, sepse njerëzit do të vijojnë t’i kërkojnë ata.

Elona Qose