Rileximi i librave në adoleshencë, po apo jo?
Për shumë kohë, sa herë shihja tim vëlla me libër në dorë rezultonte të ishte i njëjti libër. Nuk bënte sikur lexonte, e lexonte vërtet, aq shpesh sa ndonjëherë mund të betohesha se ishte i vetmi libër që kishte lexuar. Nuk e mohoj, shpesh një gjë e tillë më dukej shqetësuese.
Së fundi lexova një artikull mbi këtë temë dhe menjëherë m’u kujtua im vëlla dhe përpjekjet e mia për ta njohur me më shumë krijimtari.
Me sa duket, qenka tipike e adoleshentëve: vështirësia për t’u shkëputur nga librat që kanë lexuar në fëmijërinë e vonë, plus dembelizmi tipik i moshës ndikon që të rilexojnë të njëjtët libra.
A është kjo një gjë negative? A duhet të shqetësohen prindërit? Çfarë mund të bëjnë që t’i nxisin fëmijët e tyre të ndryshojnë interesat?
Për prindërit duhet të jetë frustuese kur përpjekjet e tyre që fëmijët të ecin përpara, të shkëputen nga interesat e kaluara, shpesh rezultojnë jo të frytshme. Të gjithë duan që fëmijët të lexojnë materiale më në përshtatje me moshën, megjithatë nuk ka asgjë për t’u shqetësuar nëse një 13-vjeçar lexon për të disatën herë “Princin e vogël”. Për sa kohë leximi e argëton, lejojini t’i lexojnë pa i shtyrë me detyrim drejt materiale më të reja.
Në atë moshë, shumica e lexuesve të rinj e kanë të nevojshme të lexojnë punën e autorëve të njohin, sepse vetëm në këtë mënyrë përfitojnë vërtet nga ajo që lexojnë, e kuptojnë gjuhën dhe simbolet. Për më tepër, leximi nuk duhet të perceptohet vetëm si një mënyrë përfitimi dijesh, por edhe si një eksperiencë emocionale.
Mbi të gjitha, të rriturit duhet të kuptojnë se fëmijët, ashtu si ata, pëlqejnë të lexojnë gjithfarë gjërash, ndonjëherë në të njëjtën kohë. Ata thjesht duan të jenë të lirë të zgjedhin vetë çfarë dhe kur të lexojnë.
Ndaj, nëse adoleshentët tuaj duan të rilexojnë të njëjtët libra, lejojini, për sa kohë ata e shijojnë leximin.
Elona Qose