skip to Main Content

Arsyet pse “Sirena e vogël” është në fakt një rrëfenjë e zymtë

Sirena e vogël që njohim të gjithë nga filmi klasik i Disney-t është e mrekullueshme. Të jemi të sinqertë, të gjithë e duam filmin e animuar. E si të mos e duash, një sirenë e bukur flokëkuqe që adhuron njerëzit dhe bie në dashuri me një princ? Kjo është tamam histori përrallash. Megjithatë, rrëfenja e Hans Kristian Andersen nuk është kaq rozë dhe mbase nuk është histori që do tua lexonit fëmijëve të vegjël që e duan detin.

Sirena e librit është tamam e torturuar
Po, e dimë, sirena e vogël, e bija e mbretit të sirenave, i do shumë njerëzit dhe dalja e saj në sipërfaqe të ujit është njëkohësisht dëshirë dhe torturë shpirtërore. Megjithatë, fakti që nuk mund të bashkohet me humanët nuk është e vetmja gjë që torturon sirenën. Pasi mbush moshën për të dalë në sipërfaqe të ujit, sirena – që ende nuk ka një emër, duhet të vuajë fizikisht nga 8 goca deti të kapura në bishtin e saj.

Sirenat këndojnë për marinarët e mbytur
Motrat e mëdha të Arielit në fund janë të këndshme, megjithatë ato mbeten bisha të rrezikshme. Një nga kënaqësitë e tyre është tu këndojnë marinarëve të mos kenë frikë nga mbytja sepse nën ujë… është argëtuese. Po… tamam!

Sirenat nuk kanë shpirt
Sirenat jetojnë gjatë, por kur vdesin ikin përgjithmonë. Ideja e mungesës së shpirtit del shpesh gjatë rrëfenjës dhe një nga arsyet që i bën humanët qenie më superiore. Një nga arsyet pse sirena e vogël është në kërkim të këmbëve në vend të bisht është se, përveç princit, kërkon edhe shpirtin.

Martohu ose vdis!
Zgjedhjet e Arielit në libër janë të frikshme. Në film, nëse nuk arrin të marrë një puthje nga Eriku, Arieli do të kthehet të sirenë dhe do të bëhet skllave e Ursulës përjetë, por në libër është krejt tjetër histori: ajo duhet ta bindë princin të martohet me të, në të kundërt do të vdesë.

Ajo duhet të vdesë ose të vrasë dashurinë e jetës së saj
Meqë princi është një idiot i vërtetë, në fund rrëfenja e Arielit bëhet vërtet e zymtë. Ndërsa Arieli përgatitet të vdesë, motrat e saj dalin në sipërfaqe dhe i tregojnë se kanë rënë në ujdi me Ursulën: flokët e tyre për një thikë magjike. Dhe gjejeni pak për çfarë duhet ta përdorë Arieli thikën? E kuptuat, të vrasë Erikun. Por sirena e flak thikën në det dhe bëhet gati të presë fatin e saj.

Fundi i lumtur, më shumë se parajsë duket si purgator
Me siguri mendoni se heroina jonë shpëtoi ngaqë zgjodhi të shpëtonte dashurinë e saj, apo jo? Epo, gaboheni! Ajo shpëtohet nga të ashtuquajturat bija të ajrit, duke u bërë një prej tyre. Urime! Mbase pas 300 vjetësh mund ta gjejë edhe Arieli një shpirt, apo jo?

Përktheu: Elona Qose