skip to Main Content

Çfarë të lexojmë…

Ne lexojmë libra për të kuptuar se kush jemi, për të kuptuar se çfarë njerëzit e tjerë, realë ose imagjinarë, mendojnë dhe ndiejnë… Ne lexojmë libra sepse na pëlqen bota në të cilën na fusin… Ne lexojmë libra se ngushëllohemi… Ka qindra arsye sepse lexojmë libra dhe asnjëra nuk është më pak e vlefshme se tjetra.
Nuk ka një kohë të mirë apo të keqe për të nisur një libër, por ka gjithmonë kohë për të lexuar, mjafton të dish ta menaxhosh atë.
Dhe nëse nuk dini ende çfarë të nisni këto ditë të bukura vjeshte, ja disa nga rekomandimet tona:

Kambana e qelqtë – Silvia Plath
“Kambana e qelqtë” është një roman në të cilin autorja rrëfen ngjarjet e jetës së saj në moshën 20-vjeçare; orvatjen e saj për vetëvrasje dhe rikthimin në jetë me paterica. Është një roman i jashtëzakonshëm, po aq i hidhur dhe i pamëshirshëm sa dhe poezitë e saj të fundit…

Rrëfim për dashurinë dhe errësirën – Amos Oz
Historia e një adoleshenti, jeta e të cilit ndryshoi pas vetëvrasjes së të ëmës kur ai ishte një fëmijë dymbëdhjetëvjeçar. Është historia e një burri, i cili jetoi mes kundërshtive të familjes dhe pirgut të ëndrrave të tij, mes shkollarëve dhe pasunarëve të rrënuar, një burri i cili ndërron mbiemrin, e një burri që adhuron familjen, për të pohuar një aksiomë se “familja është institucioni më i mistershëm dhe më tërheqës në botë.

Gushëkuqi – Jo Nesbo
Mbase romani më i mirë norvegjez i zhanrit të krimit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një grup ushtarësh të rinj norvegjezë luftuan në krah të ushtrisë gjermane në dyert e Leningradit. Janë “burrat e frontit”. Beteja i bashkoi si një grusht i vetëm, por në fund të luftës, një vrasje e çuditshme dhe një dezertim e përçanë dhe e shthurën grupin.

Deti i paanë i Sargaseve – Jean Rhys
Një prelud i historisë klasike e të paharrueshme të Xhejn Erit. Autorja përfytyron Roçesterin para se ai të bëhej punëdhënësi manipulues i Xhejnit, por mbi të gjitha, ajo rrëfen se kush ishte bashkëshortja e tij e marrë, para se të shndërrohej në atë përbindëshin e fshehur që fanitet netëve në Thornfilld. Ky roman mbresëlënës u jep zë historive të lëna në harresë, të heshtura e të panjohura, duke eksploruar dritëhije të ndryshme të mënjanimit dhe të përçmimit: gjinia, klasa, raca dhe çmenduria.

Dashuri – Toni Morrison
Një nga librat më të njohur te fitueses së çmimit Nobel në Letërsi.
“Dashuri” është një roman rreth jetës së disa grave dhe marrëdhënies së tyre me të ndjerin Bill Cosey. Personazhet kryesore janë Kristin – mbesa e tij dhe Heed – e veja. Të dyja gratë janë në të njëjtën moshë dhe kanë qenë mikesha, por 40 vjet pas vdekjes se Billit ato janë armike të betuara, edhe pse vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën banesë.

Mos më lër të shkoj – Kazuo Ishiguro
Libri i vetëm në shqip i fituesit të këtij viti të çmimit Nobel në Letërsi, “Mos më lër të shkoj” është edhe libri më i njohur dhe më i vlerësuar i tij.
31-vjeçarja Keti jetonte në Heilsham në një shkollë private, ku fëmijët ishin strehuar larg nga bota e jashtme, të rritur me idenë se ata ishin të veçantë dhe mirëqenia e tyre ishte e rëndësishme jo vetëm për ata, por për gjithë shoqërinë. Keti prej shumë kohësh e kishte hedhur pas të shkuarën e saj, deri kur dy nga miqtë e vet të Heilshamit kthehen sërish në jetën e saj dhe ajo nuk arrin t’i bëjë më ballë rikthimit të kujtesës.

Çështja e çuditshme e Dr. Xhekillit dhe Z. Had – Robert L. Stevenson
Nëse nuk e keni lexuar ende këtë libër, mos humbni më kohë. Një kombinim tepër interesant i trillerit fantastik dhe i alegorisë morale, ku përshkruhet përballja e ashpër ndërmjet dy personaliteteve të kundërta të shpirtit të një njeriu: njëri në thelb i miri dhe, nga ana tjetër, i keqi.

Elona Qose