skip to Main Content

Fajësia dhe pafajësia e Hamletit

I dobët, kontadiktor, cinik, i matur, gjakftohtë por impulsiv me të ëmën, hipokrit e i shtirur për të arritur qëllimin, dyshues, kriminel. Ky është heroi më i famshëm i Shekspirit, Hamleti.

Tragjedia me titull emrin e protagonistit, e bazuar në një sagë daneze, ka në qendër një vrasje, tre krime dhe një zinxhir viktimash. Klaudi, vëllai i mbretit, e vret sundimtarin e tij në gjumë vetëm e vëtëm për t’i marë fronin. Kjo është vrasja dhe në të njëjtën kohë pikënisja, shkaku dhe preteksti i gjithë tragjedisë. Sikur kjo të mos mjaftonte, shumë pak pas varrimit të mbretit, ai martohet me gruan e vëllait të vdekur. Hamletit të ri i ishte vrarë babai, kishte mbetur pa mbret dhe i ishte çnderuar nëna. Tre krime të pandëshkuara ishin këto që e bënë personazhin kryesor, pas shumë peripecish dhe planthurjesh, të çmendej.

Fantazma, drama brenda dramës, përçartja e Hamletit dhe çmenduaria e Ofelisë, të dashurës së tij,  e bëjnë veprën dinamike dhe tërheqëse edhe pas kaq shumë dekadash.

Detyra e “shenjtë” e Hamletit, të merrte hakun e të atit, nderin e te ëmës dhe fronin që i përkiste, oganizohet në bazë të një plani të krijuar nga po ai. Ai u bë një me  qëllimin. Iu fali perfeksion detajeve dhe sakrifikoi çdo ideal. Gjë që i jep karakterit të tij një natyrë tmerrsisht praktike, në kundërshtim me pretendimin e disa kritikëve letrar, që e cilësuan atë të dobët dhe të paaftë për ta çuar në fund detyrën.

“Me lot e mbytte skenën,

Me tmerr dëgjonjësve u ngrinte veshin,

Çmendte fajtorët, ngjethte të pafajshmit,

Trulloste të paditurit, e sigurisht

Shashtiste veshë dhe verbonte sy. „   -Hamleti për aktorin

Hamleti ironizon fatet dhe bëmat e njerëzve, duke dalë në përfundimin se: ne mund të  mos lindim apo të mos rritemi të barabartë, por  është e sigurt që pas vdekjes, s’ka më njësi matëse që të na dallojë nga njëri-tjetri.

“… një plan që u zbërthye dhe kundër vetë shpikësve u kthye.”-thuhet në fund të veprës. Plani ambicioz i Klaudit apo dhe plani hakmarrës i Hamletit. Të dy përfunduan të vdekur duke marrë me vete edhe njerëzit që i rrethonin. Bashkë të ndershmit dhe të paskrupujt, ambiciozët dhe egoistët, të fajshmit dhe të pafajshmit.//Bota.al

Leave a Reply