skip to Main Content

Libra që i keni urryer në shkollë të mesme, që duhet t’u jepni një shans të dytë

Shkolla e mesme për shumë mbetet periudha më e bukur e jetës. Pavarësisht se në atë moshë çdo gjë, e mirë apo jo, ka tendencën të zmadhohet, në retrospektivë kupton se gjithçka në atë kohë ka qenë e bukur… përveç leximit të detyruar.
Herë-herë mendoj se disa nga librat klasikë që adoleshentët i urrejnë, në vend që të jenë në listën e leximit të detyruar, të jenë në listën e librave të ndaluar. E sigurt që të gjithë do t’i lexonin.
Dhe nuk po flas vetëm për librat me lexim të detyruar nga kurrikula shkollore, por edhe për ata që shoqëria pretendon se duhet t’i lexosh patjetër.
Është fakt që adoleshentët urrejnë shumë nga librat më të mirë në histori. Është po ashtu fakt se të njëjtët persona vite më vonë ndryshojë tërësisht mendim për libra të caktuar.
Ne kemi pyetur, kemi lexuar studime dhe shkrime të medias së huaj. Përfundimi, përveçse adoleshentët janë kudo njëlloj, është se disa libra urrehen nga shumica në shkollë të mesme.
Kështu që ne më të rriturit, nga eksperienca, ju themi t’u jepni edhe një shans librave të mëposhtëm në një moshë më të vonë.

Asgjë e re nga fronti i perëndimit – Remark
Nuk kam një njohur asnjë nxënës të shkollës së mesme që nuk ka lexuar të paktën një libër të Remarkut. Por nëse “Harku i Triumfit” është libri që i referohen të gjithë, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” është shumë depresiv për atë moshë.
Megjithatë, ky libër e tregon luftën ashtu siç është: jo një rrëfim plot heronj dhe antiheronj, por si një marshim i pakuptimtë drejt vdekjes i të rinjve që e vetmja gjë që kanë ndryshe është ngjyra e uniformës.

Romeo dhe Xhuljeta – Shekspir
Pak adoleshentë duan të lexojnë një libër për ta, të shkruar nga një i rritur i mërzitshëm… shekuj më parë.
Lexojeni më vonë. Do të kuptoni se është një histori e bukur dhe përveçse te zgjedhja e dy të rinjve për të vrarë veten, do të përqendroheni edhe te vendimi i të rriturve për t’i lënë ata të vdesin në vend që të sheshojnë mosmarrëveshjet mes tyre.

Odiseja – Homeri
Të gjithëve na pëlqejnë t’i dëgjojmë historitë, të gjithë i kemi parë filmat, por sa e kanë lexuar vërtet poemën epike të Homerit?

Mobi Dik – Herman Melville
Shumë njerëz e urrejnë vërtet këtë libër. Dhe në një farë mënyre i kuptoj.
Por nëse i jepni një shans të dytë do të kuptoni se libri është plot batuta.

Xhejn Er – Sharlot Bronte
Xhejn vendos të falë të dashurin e saj të pasur për burgosjen në papafingon e kështjellës të gruas së tij të sëmurë mendore. Xhejn vendos ta falë edhe pse ai e gënjeu për gruan. Në ditët e sotme, kjo nuk është shumë për t’u duartrokitur.
Por, po ta lexoni sërish me kujdes, do të kuptoni edhe se Xhejn është një grua e pavarur, që vendos ta falë të dashurin e saj vetëm pasi mund të konsiderohet e barabartë me të.

Elona Qose