skip to Main Content

Librat më të shitur të të gjitha kohëve

Bibla gjerësisht raportohet si libri më i shitur në botë, megjithatë nuk ka shifra konkrete. Mendohet se Bibla mund të jetë shitur deri në 2 miliardë koje, por siç thamë, shifrat e dhëna nga agjenci të ndryshme janë shumë kontradiktore. E njëjta gjë vlen edhe për Kuranin.

Rrëfim për dy qytete – 200 milionë kopje


Çarls Dikens numëron shumë klasikë. “Rrëfim për dy qytete” është në të njëjtën kohë edhe libri artistik më i shitur të gjitha kohëve. Romani i shkruar gjatë kohës së Revolucionit Francez u botua në vitin 1859 dhe ka qenë bestseller për dekada të tëra.

Princi i vogël – 150 milionë kopje


Një nga historitë më të njohura nga i madh e i vogël. I shkruar nga Antoine de Saint-Exupéry, libri përmban edhe një sërë skicash. I përkthyer në mbi 250 gjuhë, libri i botuar në vitin 1943, ka shitur rreth 150 milionë kopje.

Zoti i unazës – 150 milionë kopje


Një roman fantazi i ndarë në tri pjesë. Me këtë libër, J.R.R. Tolkien nxiti interesin ndaj këtij zhanri të letërsisë. Filmi shumë i suksesshëm bazuar në këtë libër nuk bëri gjë tjetër veçse shtoi popullaritetin dhe shitjet e veprës së Tolkien.

Dhe pastaj nuk ishte askush – 100 milionë kopje
Agatha Christie njihet si zonja e krimit dhe ky libër është ndër më të njohurit në botë në zhanrin e misterit dhe sigurisht më i shituri. Që nga botimi i tij në vitin 1939, libri ka mbetur shumë popullor.

Kodi Da Vinçi – 80 milionë kopje


Libri më i njohur dhe mbase më i miri i Dan Brown, në kohën e botimit pati një ndikim të jashtëzakonshëm për shkak të temës së trajtuar. I botuar në vitin 2003, libri ka shitur miliona kopje në mbarë botën, ndërsa është kthyer edhe në një film me buxhet të madh po shumë të suksesshëm.

Alkimisti – 65 milionë kopje


Paolo Coelho është një autor shumë popullor, librat e të cilit gjejnë gjithmonë treg. E megjithatë asnjë libër i tij nuk ka pasur suksesin kritik dhe financiar të “Alkimistit”, me plot 65 milionë kopje të shitur në të gjithë botën.

Përgatiti: Elona Qose