skip to Main Content

Për dashurinë për librin… Libraritë shëtitëse nëpër botë

Në kohën kur pothuajse të gjitha blerjet po bëhen online, libri me fletë rrezikon të zhduket, në favor të teknologjisë. Por ka njerëz në botë që kanë krijuar librari nga më të ndryshmet dhe të çuditshmet, për t’i afruar njerëzit me librin e prekshëm.

Në Tunizi kanë filluar të qarkullojnë taksitë librari për të inkurajuar njerëzit të lexojnë. Në pjesën e jashtme të tyre shkruhet: “Vëmendje, kjo taksi përmban libra”.

Në hekurudhën holandeze është në qarkullim edhe treni me vagonin bibliotekë. Zona e bagazheve mbi sedilje është përshtatur për të vendosur libra.
Treni duket si një librari lëvizëse, ka tapete, llamba leximi, tavolina për librat, etj. Çdo tavolinë ka një libër të sugjeruar nga personeli, por udhëtarët janë të lirë të zgjedhin ç’të duan. Madje ata edhe mund t’i japin bibliotekës libra të tyre, për të shtuar titujt nëpër rafte.

Një bullgar përshtati një librari në breg të detit, në Albena, me 2500 tituj në gjuhë të ndryshme te botës. Njerëzit i lexonin ato gjatë kohës së plazhit dhe i kthenin para se të largoheshin.

Nuk mungojnë as libraritë mbi rrota, ato që përshtaten mbi triçikle dhe shëtisin nëpër zona të ndryshme. Por, ka edhe nga ato që instalohen nëpër autobusë, që udhëtarët të shtyjnë kohën. Kjo ka ndodhur me një shofer autobusi në Brazil, adhurues i letërsisë. Mendon që ta zgjerojë nismën te të gjithë autobusët e rajonit ku jeton.

Në rajone më të thella, ka nisma edhe më të vështira: libri transportohet me gomar. Një vendas kolumbian prej disa vitesh,ngarkon gomarin e tij me libra dhe shëtit nëpër fshtatra të thella, ku mundësitë për shkollim janë shumë të pakta.
Përgatiti: E. Qose