Skandale në… letërsi
Ashtu si çdo formë tjetër arti ose jo, edhe letërsia është e mbushur me skandale. Nga plagjiarizmi, te trillimi i ngjarjeve të servirura si historike, te pseudonimet e çuditshme, bota e letërsisë është tronditur më shumë se një herë nga ngjarje jo edhe aq të këndshme.
Herman Rosenblat shkroi një libër kujtimesh mbi holokaustin me titullin “Engjëlli te gardhi”. Libri flet për një vajzë, e cila i kalonte ushqim nën gardhin e kampit të përqendrimit dhe që më vonë u bë gruaja e tij. Rrëfimi tërhoqi vëmendjen e Oprah Winfrey. Rosenblat iu ofrua një kontratë e majme nga një shtëpitë më të mëdha botuese dhe pati plane për të xhiruar një film bazuar në atë libër… derisa u zbulua se historia e vajë së kthyer në bashkëshorte, thelbi i gjithë librit, ishte e trilluar.
Në janar 1836, një grua kanadeze, Maria Monk, tronditi opinionin pasi botoi një libër ku nxori në shesh një sërë skandalesh të ndodhura, sipas saj, në një manastir në Montreal. Sipas saj, murgeshat kishin marrëdhënie të rregullta seksuale me priftërinj të zonës, që hynin fshehtas në manastir. Jo vetëm kaq, Monk pretendonte që fëmijët që lindnin nga këto lidhje, pasi i pagëzonin i mbytnin dhe i hidhnin në bodrumet e ndërtesës. Maria Monk pretendonte se kishte jetuar në këtë manastir për 7 vjet dhe kur kishte mbetur shtatzënë ishte arratisur pasi nuk e përballonte dot vrasjen e pjellës së saj.
Një hetim i hollësishëm tregoi në fakt se nuk kishte asnjë të dhënë që Maria Monk të kishte qenë ndonjëherë brenda mureve të atij manastiri, madje Monk kishte pasur probleme mendore që fëmijë.
Më shumë sesa skandal, kjo përfundoi në tragjedi. Në biografinë shumë të vlerësuar “Three Cups of Tea”, Greg Mortenson tregon eksperiencën e tij në bashkimin e kulturave dhe themelimin nga ana e tij të mbi 170 shkollave në Afganistan dhe Pakistan. Nuk kaloi shumë dhe u zbulua se jo vetëm që ato shkolla nuk ekzistonin, por Mortenson kishte trilluar pjesën më të madhe të biografisë së tij. Skandali ishte aq i madh, sa bashkautori i Mortenson, i cili në fakt ishte i pafajshëm dhe nuk ishte në dijeni të gënjeshtrave, vrau veten.
Elona Qose