skip to Main Content

Librat më të vegjël në botë, nga Peruja në Torino

Në Sallonin e Librit në Torino, që po mbahet këto ditë, ka një stendë të veçantë dedikuar librave më të vegjël në botë. Administruesi peruvian ka treguar se si realizohen këta libra në miniaturë.
Projekti nisi në vitin 1970. Për gati 5 dekada këta libra i realizojnë me dorë në Peru. Ideja ishte krijimi i librave të vegël për t’i dhuruar mes miqsh, kështu që edhe përmbajtja e librave ishte e personalizuar. Të njëjtët miq që morën dhurata të tilla, i sugjeruan themeluesit të kësaj industrie që hobin e tij ta kthente në biznes.

Meqenëse librat ishin të gjithë në spanjisht në fillim tregjet kryesore ishin Amerika Jugore dhe Spanja në Europë. Me kalimin e viteve dhe duke parë suksesin e tyre, librat filluan të shkruheshin edhe në portugalisht, frëngjisht dhe italisht, duke hyrë kështu edhe në tregjet tjera europiane. Vitet e fundit, ka filluar prodhimi në anglisht dhe shpërndarja e tyre në SHBA.

Sa i përket përmbajtjes, pjesa më e madhe e librave mbështeten në veprat klasike, ashtu sikurse librat për fëmijë, përrallat, librat humoristikë etj. Jo vetëm kaq, edhe poema si Iliada e Odiseja janë përshtatur për këta libra kaq të vegjël, ashtu sikurse edhe shkrimet e shenjat apo mësimet e Nënë Terezës.
E. Qose